23 Gusht, 2023 - 3:14 pm
Sot, në Prishtinë është zbuluar “Muri i Nderit”, i cili është ndërtuar si dëshmi e guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera këto që e formësojnë historinë e përbashkët të popullit shqiptar me atë izraelitë, shkruan KultPlus.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, përmes një postimi në faebook ka thënë për “Murin e Nderit”, që le të qëndrojë si një simbol i përjetshëm i dashurisë për njerëzimin.
“Le të mbetet ky “Mur i Nderit” një urë miqësie për popullin hebre, si në Izrael ashtu edhe në mbarë botën dhe le të qëndrojë si një simbol i përjetshëm i dashurisë sonë për njerëzimin.
Falënderoj nga zemra të gjithë ata që pa u lodhur e bënë realitet këtë ngjarje; Shirley dhe Joe Dioguardi nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, Kryeministri Kurti, stafi i Kryeqytetit dhe të tjerë të panumërt që kontribuan me kohë dhe energji për këtë monument madhor”, thuhet në shkrimin e Ramës në facebook./KultPlus.com