17 Mars, 2025 - 5:21 pm
Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit njoftoi zbulimin e një varri mbretëror që daton më shumë se 3 500 vjet më parë.
Në një deklaratë nga ministria thuhet se një ekip arkeologjik nga Universiteti i Pensilvanisë zbuloi një varr mbretëror që i përket Periudhës së Dytë në nekropolin malin Anubis në Abydos në jug të vendit
Një ekip tjetër arkeologësh, i lidhur me Këshillin e Lartë të Antikiteteve, gjeti një punishte qeramike nga periudha romake në fshatin Banavit në jug.
“Zbulimi i varrit mbretëror në Abydos dhuron prova të reja shkencore për zhvillimin e varreve mbretërore në nekropolin Anubis. Këto varre datojnë në vitet 1700-1600 para Krishtit”, thuhet në deklaratë.
Në lidhje me punishten e qeramikës në Banavit, thuhet se “Kjo punishte ishte një nga qendrat më të mëdha të prodhimit që furnizonte ‘Rajonin e Nëntë’ me qeramikë dhe qelq në kohët e lashta”.
“Njoftimi i këtyre dy zbulimeve jo vetëm që do të promovojë diversitetin turistik të Egjiptit dhe do të shpjegojë më mirë qytetërimin e lashtë egjiptian në botë, por gjithashtu do të kontribuojë shumë për studiuesit në punën e tyre”, tha ministria egjiptiane./ atsh/ KultPlus.com