11 Janar, 2023 - 3:23 pm
Në shumë raste, betoni romak është dëshmuar të jetë më i qëndrueshëm se betoni modern, i cili mund të dëmtohet vetëm pas disa dekadash. Shkencëtarët besojnë se tashmë kanë zbuluar përbërësin sekret që i bëri ndërtesat romake aq të qëndrueshme, madje edhe në zona të thyera.
Një ekip ekspertësh nga Amerika, Italia dhe Zvicra analizuan mostra 2000-vjeçare të mureve nga vendi arkeologjik i Privernum në Italinë qendrore. Ata zbuluan se falë një recete të veçantë, betoni i tyre kishte aftësinë të vetëripërtërihej.
“Betoni u mundësoi romakëve të arrinin një revolucion arkitektonik”, tha Admir Masic, profesor në Universitetin e Massachusetts, i cili mori pjesë në këtë studim.
“Ata ishin në gjendje t’i kthenin qytetet në diçka të jashtëzakonshme dhe të bukur për të jetuar, dhe ai revolucion ndryshoi plotësisht mënyrën se si njerëzit jetojnë,” shtoi profesori.
Betoni është në thelb një gur artificial që përftohet nga përzierja e çimentos, një material lidhës i bërë nga guri gëlqeror, ujit, rërës së imët dhe zhavorrit.
Tekstet romake sugjeruan që materialit t’i shtohej gëlqere e shuar, por shkencëtarët kanë përcaktuar se në fakt ishte shtuar gëlqere e gjallë, e cila më pas nxehej në temperatura të larta së bashku me pjesën tjetër të përzierjes.
“Përfitimi i përzierjes së nxehtë është i dyfishtë, së pari, kur betoni nxehet në temperatura të larta, mundëson procese kimike që nuk do të ishin të mundshme nëse do të përdorni gëlqere të shuar dhe së dyti, ajo temperaturë zvogëlon ndjeshëm kohëzgjatjen e ngurtësimit, sepse të gjitha reaksionet janë të përshpejtuara. Kjo lejon një ndërtim shumë më të shpejtë,” tha Masic për CNN.
Studiuesit testuan zbulimin e tyre në laborator, duke bërë beton sipas një recete të tillë, e cila doli të ishte në gjendje të mbushte në mënyrë më të mirë edhe çarjet e vogla.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i hirit vullkanik nga zona e Gjirit të Napolit, i cili u përdor për muraturë në të gjitha pjesët e Perandorisë Romake, ishte i rëndësishëm për qëndrueshmërinë specifike të betonit romak.
Hulumtimi i ri është publikuar në revistën shkencore “Science Advances”. / KultPlus.com