3 Shkurt, 2023 - 1:31 pm
Një tjetër sozi e planetit tonë Tokës, është zbuluar në hapësirë dhe ndodhet 31 vite dritë larg në drejtim të yjësisë Cygnus. Ajo quhet Wolf 1069 b dhe mund të jetë e banueshme. Ka një fytyrë të ndriçuar vazhdimisht dhe një fytyrë vazhdimisht të errët, sikurse Hëna. Planeti i ri renditet i gjashti, për nga largësia nga ne, midis atyre me masë tokësore potencialisht të banueshme.
Wolf 1069 b ka një temperaturë mesatare prej -23 gradësh, çka tregon se është një trup shkëmbor dhe një masë superiore me atë tokësore dhe një orbitë që zgjat rreth 15 ditë. Kjo është arsyeja pse ai mund të jetë i banueshëm. Nëse do të kishte edhe një atmosferë, autorët e studimit vlerësuan se temperatura mund të rritet deri në 13 gradë, duke lejuar që uji i lëngshëm të ekzistojë në një zonë të madhe në anën përballë yllit. Një veçori tjetër që favorizon banueshmërinë e Wolf 1069 b është qetësia e dukshme e yllit rreth të cilit ai rrotullohet.
Ndodhet shumë afër yllit të tij, Wolf 1069, por pavarësisht kësaj merr vetëm rreth 65% të energjisë që Toka merr nga Dielli. Kjo sepse ylli i vogël i kuq është shumë më i dobët dhe më i ftohtë se Dielli ynë.
Zbulimi u bë nga një grup studiuesish të udhëhequr nga Diana Kossakoëski i Institutit Gjerman Max Planck për Astronomi (MPIA) në Heidelberg, i cili e botoi atë në revistën Astronomy & Astrophysics./ A2CNN/ KultPlus.com