21 Janar, 2023 - 5:32 pm
Për ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, janë thënë fjalë nga më të mëdhat nga figura të ndryshme kombëtare e ndër kombëtare, shkruan KultPlus.
Sot KultPlus ju sjell disa nga fjalët që shkrimtari i shquar shqiptar, At Zef Pllumi kishte thënë për Rugovën.
”Nji ndër burrat e rrallë të kômbit shqiptár. Ndoshta mâ i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilësohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar.
Ai u përpoq m’e spjegue shkrimtarin e madh kosovár Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpírtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashktë: Liria e popullit kosovár. Caktoi m’e ndjekë rrugën e tij si mâ të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamvarun prej gjithkujt.
Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atjé mendonte me e shtî edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkathë vuajtje as gjak kurrkujt, prandej edhe kjè thirrë “Gandi kosovár”.
U shá e u luftue nga serbët, u shá e u luftue nga shqiptarët, u shá e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kjè trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të sháme, sepse ai ishte mâ i dijtuni, e mâ i urti i të gjithve.
Vazhdimisht pat kritika në shtypin kosovár për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nânë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të Dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet, sepse Gjon Pali i Dytë kjè luftari mâ paqsór mbi tokë, i cili ia duel me i shkatrrue dy ideologjitë mâ kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nâna Terezë, shqiptarja që mori çmimin “Nobel për Paqe”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhânë njerëzimit, në nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa m’e nderue vorrin e nânës së vet.
Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pá të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnór, tue drejtue me shêmullin e vet personal.
Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm”, shprehet At Zef Pllumi. / KultPlus.com