17 Shkurt, 2023 - 10:45 pm
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje kineastëve dhe artistëve që të deklarojnë qartë mbështetjen e tyre për Ukrainën në komentet në hapjen e festivalit të filmit, Berlinale.
”A mund të qëndrojë arti jashtë politikës”?, pyeti ai gjatë një fjalimi në galanë hapëse duke thënë se kjo pyetje është bërë sërish jashtëzakonisht e rëndësishme.
”Kinemaja dhe filmi mund të kapërcejnë barrierat, reale dhe ideologjike”, tha Zelensky, një ish-aktor, duke iu referuar filmit të Wim Wenders “Wings of Desire”, i cili parashikoi fundin e ndarjes së Gjermanisë.
”Tani, është Rusia ajo që po ndërton një mur të ri në Ukrainë. Ky është një mur midis lirisë dhe skllavërisë”, tha ai.
”Arti nuk mund të qëndrojë indiferent, sepse në heshtje zëri i së keqes bëhet vetëm më i fortë dhe më bindës”, theksoi Zelensky.
Përpara ceremonisë së hapjes, aktorja amerikane Anne Hathaway vlerësoi Zelenskyn si një hero të ditëve moderne dhe falënderoi organizatorët e festivalit që e ftuan të mbante një fjalim./ KultPlus.com