4 Maj, 2023 - 3:00 pm
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky rinovoi thirrjen e tij për një gjykatë ndërkombëtare për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe agresionin rus kundër vendit të tij, në një fjalim të enjten pas vizitës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë.
”Pa drejtësi, paqja nuk është e mundur”, argumentoi Zelensky në fjalimin e tij.
Ai kujtoi gjyqin e liderëve të rangut të lartë nazistë në Nuremberg pas Luftës së Dytë Botërore, si një model për mënyrën se si të merren me rusët e implikuar në mizoritë në Ukrainë.
“Qëndrueshmëria e paqes lind nga drejtësia e plotë ndaj agresorit”, tha Zelensky.
Zelensky vlerësoi punën e ICC-së, e cila nisi hetimet menjëherë pas pushtimit rus dhe në mars lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për presidentin rus Vladimir Putin për krime të dyshuara lufte.
Presidenti ukrainas vizitoi ICC më herët të enjten gjatë udhëtimit të tij të paparalajmëruar në Holandë./ atsh / KultPlus.com