25 Dhjetor, 2022 - 11:15 am
Në një mesazh emocionues për Krishtlindje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje njerëzve që vuajnë nga lufta e Rusisë të kenë kurajo të vazhdojnë përpara.
“Kemi duruar sulme, kërcënime, shantazhe bërthamore, terror dhe sulme me raketa. Le ta kalojmë këtë dimër sepse ne e dimë se për çfarë po luftojmë,” tha Zelensky.
“Ne besojmë se lotët do t’i lënë vendin gëzimit, dhe se shpresa do të vijë pas dëshpërimit dhe vdekja do të mposhtet nga jeta”, shtoi ai.
“Miliona njerëz në Ukrainë dhe në mbarë botën po festojnë Krishtlindjet”, tha ai.
“Ne do t’u kthejmë të gjitha grave dhe burrave ukrainas lirinë e tyre”, theksoi Zelensky duke kujtuar ukrainasit që kanë ikur jashtë vendit ose që duhet të kalojnë Krishtlindjet në robërinë ruse.
“Pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike në vend, rrugët dhe banesat mund të mos shkëlqejnë si zakonisht këtë vit. Por asnjë dron apo raketë rus nuk mund të thyente frymën e Krishtlindjeve”, shtoi ai.
“Edhe në errësirë totale, ne do të gjejmë njëri-tjetrin për t’u përqafuar fort. Dhe nëse nuk ka ngrohje, ne do të ngrohemi me një përqafim të madh. Nuk do të presim të ndodhë një mrekulli, ne do e krijojmë vetë një të tillë”, tha Zelensky.
Në Ukrainë, 25 dhjetori është dita zyrtare e Krishtlindjeve dhe 7 janari, kur të krishterët ortodoksë festojnë./KultPlus.com