4 Prill, 2022 - 9:30 am
Në ceremoninë e çmimeve ‘Grammy’, pati një paraqitje speciale edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky me një dedikim emocional për viktimat e pushtimit rus në vendin që ai udhëheq, shkruan KultPlus.
Paraqitja speciale e Zelensky për këtë ceremoni u bë përmes një video që ishte inçizuar më herët, ku ai vlerësoi lart edhe rolin e muzikës.
“Lufta nuk na lë të zgjedhim se kush do të mbijetojë dhe kush do të qëndrojë në heshtje të përjetshme”, vazhdoi ai. “Muzikantët tanë veshin veshje të blinduara në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale, madje edhe atyre që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi”, ka thënë ai.
Zelenskiy lavdëroi bashkatdhetarët e tij duke thënë: “Ne mbrojmë lirinë tonë. Të jetojmë. Të dashurojmë. Të tingëllojmë. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë që sjell heshtjen e tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur. Mbushni heshtjen me muzikën tuaj! Mbushni atë sot për të treguar historinë tonë”.
Ai iu kërkoi shikuesve të “Grammy Awards” që të mbështesin publikisht Ukrainën: “Unë kam një ëndërr që ata të jetojnë”, tha ai për popullin ukrainas. “Dhe të lirë. Të lirë si ju në skenën e Grammyt”.
Një paraqitje speciale pati edhe Dua Lipa së bashku me këngëtaren Megan Thee Stallion. /KultPlus.com