23 Qershor, 2023 - 4:00 pm
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një ligj që ndalon importin e librave nga Rusia, duke e konsideruar si një hap tjetër në ndërprerjen e lidhjeve kulturore midis dy vendeve pas pushtimit.
“Unë besoj se ligji është i saktë”, shkroi presidenti ukrainas në aplikacionin Telegram, duke njoftuar se është i ndaluar gjithashtu edhe importi, për qëllime komerciale, të librave të shtypur në Bjellorusi ose në territoret e pushtuara ukrainase.
Të interesuarit tashmë do të duhet të sigurojnë një leje speciale për të importuar libra në gjuhën ruse nga vendet e treta. Zyra e Zelensky tha në Twitter se ligji “do të forcojë mbrojtjen e kulturës dhe hapësirës së informacionit vendas nga propaganda ruse anti-ukrainase”.
Ukraina ka kaluar kohët e fundit një proces “de-rusizimi”, siç e quan ajo, duke argumentuar se është e nevojshme të përmbyset politika shekullore që ajo beson se kishte për qëllim shkatërrimin e identitetit ukrainas. / KultPlus.com