26 Maj, 2021 - 11:20 pm
Kuzhina shqiptare-e endur nga fijet e traditave ballkanike, mesdhetare dhe osmane, përmban pjata si perime të mbushura, byrek, qoften dhe kos.
Museum of Food and Drink (MOFAD) dhe Greene Space do të realizojnë një bisedë virtuale 90 minutëshe më 27 maj. Ata do të rrëfejnë gatimet shqiptare. Janë përfaqësues të organizatës Rrno, një grup kuzhinierësh shqiptare me misionin për të ruajtur dhe promovuar kuzhinën, ku në fund të bisedës online do të demonstrojnë dhe dy receta. E para është papare, një pjatë tradicionale shqiptare dhe e dyta do të jetë një rishpikje bashkëkohore e kësaj pjate.
Biseda do të bëhet mes Gazmend Kapllani, Nikolin Kola, Dhrata Thanasi dhe Irida Hysenbelli që do të tregojnë dhe historitë dhe kujtimet e tyre për kuzhinën shqiptare gjatë dhe post-komunizëm si dhe çështjet e identitetit dhe roli i grave shqiptare që punojnë për të ruajtur traditat shqiptare të kulinarisë.
Organizata “Rrno për me gatue” (Jeto për të gatuar) është iniciuar nga Nikolin Kola, i cili emigroi herët në Mbretërinë e Bashkuar me të vëllain Bledarin dhe më pas u kthye në Shqipëri ku ka hapur restorantin “Mullixhiu”, i njohur ndërkombëtarëisht. Së fundmi Nikolini ka botuar librin “Kuzhina e re Shqiptare”. Rrno lindi si një rrjet global i shefave shqiptare që punonin për të rikuperuar traditat e kuzhinës shqiptare që pothuajse kishin humbur nga shtypja komuniste dhe kriza e identitetit post-komunist./ KultPlus.com