Zeqiri: Në Francë e kuptova për herë të parë se çfarë do të thotë të kesh mirëqenie

19 Nëntor, 2019 - 9:51 pm

Qendrim Badalli

Para pak orësh në një ceremoni në rezidencën franceze në Prishtinë, regjisorja e njohur Blerta Zeqiri është nderuar me titullin “Kalorëse e Artit dhe Letrave” nga Ambasada e Francës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo është njëra nga dekoratat më të larta që e ndanë Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për rrezatimin dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.

Në fjalën e saj të rastit, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-ChristineButel, ka theksuar disa nga çështjet që regjisorja Zeqiri ka trajtuar ndër vite.

“Karriera juaj si regjisore e filmit ju ka bërë që të shikoni gjërat më nga afër, homoseksualitetin, luftën, refugjatët, sistemin pararel të arsimit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Tutje, Ambasadorja Butel, ka bërë një ndërlidhje mes promovimit të vlerave të Francës dhe të regjisores Zeqiri.


“Me një fjalë, e dashur Blerta, si një regjisore plot talent por edhe si një grua e përkushtuar ju  keni ditur që përmes filmave tuaj të shkëlqyeshëm të bartni vlerat universale të tolerancës dhe lirisë, vlera që Republika Franceze dëshiron të promovojë”, ka vazhduar tutje, ku në fund, Ambasadorja e Francës në Kosovë, ka treguar për arsyet se pse ky simbol ka shkuar për regjisoren Blerta Zeqiri.

“Përmes karrierës suaj shembullore zonja Zeqiri, me përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të mbrojtur ekzistencën e një kinemaje të pavarur, krijuese dhe të përkushtuar ju meritoni që Republika Franceze të ju shpërblejë me simbolin “Kalorëse e Artit dhe Letrave”.

Regjisorja Blerta Zeqiri, fillimisht ka treguar shkurt për rrugëtimin e saj nga Kosova për në Paris, pikërisht në periudhën kur në Kosovë kishte shpërthyer lufta.

“Isha nëntëmbëdhjetë vjeçe kur hipa në aeroplan për herë të parë ku me gjithë familjen po shkoja drejt Parisit, vendit të dashurisë dhe artit. Këtë rrugëtim me familjen time drejt vendit të dashurisë dhe kulturës ne po e bënim me një aeroplan ushtarak, ishte viti 1999, një kohë lufte në Kosovë. Ne ishim refugjatët e parë nga Kosova që shteti francez me aq bujari na mirëpriti”, ka thënë Zeqiri, e cila ka vazhduar tutje duke treguar ballafaqimin me një shtet të drejtë karshi qytetarit për dallim nga ajo se çfarë kishte përjetuar në Kosovën e okupuar.

“Për sa kohë unë kisha jetuar në Kosovën e okupuar kisha qenë gjithmonë një qytetare e rendit të dytë. Në Francë, për herë të parë e shijova lirinë dhe fillova ta kuptoj domethënien  dhe rëndësinë e gjithë kësaj. Në Francë kuptova që shteti ndihmon qytetarin, qytetarin e tij dhe nuk e shtyp atë. Në Francë për herë të parë e kuptova çfarë do të thotë të kesh mirëqenie dhe se mirëqenia nuk është luks por domosdoshmëri e cila duhet t’i takojë secilit individ në botë”, ka thënë regjisorja e filmit “Martesa”.


Ajo ka folur edhe për ndikimin që vlerat që kultivon shoqëria franceze kanë pasur në jetën e saj qoftë profesionale qoftë në atë personale.

“Kur e shijova dhe përjetova mirëqenien franceze, u bëra përkrahëse e flaktë e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe të kafshëve, vlera këto që i morra nga Franca perëndimore që vazhdojnë të ma udhëheqin jetën dhe punën time artistike tash e sa vite. Ndihem pafundësisht e nderuar dhe falendëruese ndaj Republikës Franceze për këtë dekoratë kaq të çmuar për mua”, ka përfunduar ajo.

Ceremonia vazhdoi tutje me një koktej rasti në prani të të ftuarve në mesin e të cilëve ishte edhe kryeministri në ardhje Albin Kurti. / KultPlus.com





Të ngjajshme