Zëra poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora

11 Qershor, 2024 - 10:13 am

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, “Drini poetik”, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, u organizua së bashku me Degën e  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Kukësit, në shenjë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 9 e 10 qershor 2024, në Prishtinë, Prizren e Kukës.

Pas sesionit letrar “UÇK-ja në poezinë e sotme shqipe”, në program ishte “Vepra e hapur”, ku u përuruan gjashtë botime të reja, mes të cilave përmbledhja poetike “Shqipëri, zemra jonë!”, botim i ShShASh “Zëri i Mërgimtarit” në Novara të Italisë.

Në recensën e poetit, prozatorit e publicistit të mirënjohur, prof. Ndue Dedaj, me titull “Gjeografi e poetikës shqiptare”, lexuar nga Hamdi Hysuka, redaktori i librit, shkruhet:

Gjithmonë është bukur kur poetët mblidhen për të shqiptuar para njëri-tjetrit poezitë e tyre, si në një festival múze. Aq më shumë kur kjo ndodh në një vend të huaj, në këtë rast Italia. Edhe në mos paçin poezitë gjithnjë figurshmërinë e duhur artistike, kanë shpirtin shqiptar që vibron në vargje, duke të kujtuar dashurinë e rilindasve tanë të mëdhenj për Shqipërinë. Në këtë kuptim poezia që i kushtohet Atdheut është përherë e freskët, iluminuese, drithëruese. E tillë vjen dhe përmbledhja poetike “Shqipëri, zemra jonë!”, me zëra poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, ku kemi në emigrim aq shumë poetë. Mbizotërojnë poezitë kushtuar Atdheut, Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, Preshevës, Tomorit, Rozafës, Reçakut, Lirisë, Pavarësisë, Skënderbeut, Nënë Terezës, Norës e Shotës, Nolit dhe Çerçiz Topullit, siç janë të ndjera poezitë për poetët martirë Blloshmi, Leka etj. Poezi ku rroket gjithë përjetime e përsiatje e djeshmja dhe sotmja, flamuri dhe heroizmi, stinët dhe motet, vendlindja dhe lapidarët, plisi e guri, lumi dhe deti, qyteti dhe fëmijëria, kitara dhe simfonia, njeriu dhe fjala, gruaja dhe dashuria, amaneti dhe iluzioni.

Renditja e poezive në këtë vëllim është bërë sipas vitit të lindjes së autorëve pjesëmarrës. Në poezinë “Atdheu im”, që hap librin, poeti vlonjat Myrteza Mara, këndon si një bard i hershëm motmotesh. Poetja e mirënjohur nga Kosova, Flora Brovina, që i bën nder çdo antologjie poetike shqiptare, mediton në poezinë “Thirrje Kosovës”. Shenjtëresha e mirësisë së botës ka frymëzuar aq shumë poetë shqiptarë, ndër ‘ta dhe Iliaz Bobajn, me poezinë “Ardhja e Nënë Terezës”. Myftar Gjonbalaj sjell përmes vargjeve epikën shqiptare të bjeshkëve të Plavës dhe Gucisë, aty ku për ‘të bora është më e bardhë se tjetërkund. Poeti matjan, Hamdi Hysuka, njëherësh veprimtar i palodhur dhe reporter i tubimeve letrare, është i lidhur shpirtërisht me vendlindjen dhe e poetizon atë mjeshtërisht, edhe në frymën e këngës popullore të trevës. Poeti Shyqri Galica, një emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë e më gjerë, edhe si studiues i letërsisë e gazetar, ka fiksuar në poezinë e tij një ngjarje të pazankonshme, pandeminë, që si një “murtajë” e “tërmet” tronditi thellësisht jetën globale. Poeti i njohur, Petraq Risto, që shquhet për tingëllimën moderne të lirikës së tij, në poezinë “Mëngjesi” i thur himn lirisë. Poeti mirditas me ndjeshmëri të hollë dhe kulturë të shkruari, Ndue Lazri, në poezinë “Grua” i bën një himn të rrallë poetik femrës, kurse në poezinë “Pema e dashurisë” të befason me qasje figurative.

Poeti nga Drenica, Sokol Demaku, sjell lumin e tij poetik, si një metaforë e jetës që ikën e nuk kthen. Poetja durrsake, Trandafile Molla (Baja), i qaset Atdheut me mallin dhe dashurinë e mërgimtarit, duke u bërë zë i shqiptarëve që kanë emigruar si kurrë ndonjëherë në këto tridhjetë vjetët e fundit. Poeti përmetar, Lumo Kolleshi, e gjen motivin e spikatur poetik në jetën e të atit usta, që ndërtonte shtëpi për njerëzit, duke prekur si relike të çmuara muzeale çantën dhe veglat e tij të punës. Poeti kërçovar, Adem Xheladini, përmes një fabule artistike të gjetur dhe imagjinatës krijuese i qaset me origjinalitet poetit kombëtar at Gjergj Fishta, në njërin nga përvjetorët e tij të lindjes. Poetja Xhemile Adili i drejtohet qiellit, perëndisë që t’i falë një ëndërr, që ajo të shkruajë në fund të detit një emër që di mbi çdo gjë.  Mjaft poetë të befasojnë me poezi të tyre të veçanta, për mënyrën e receptimit të dukurive dhe realizimin artistik të tyre, si: Astrit Lulaj, Diana Tabaku, Xhilda Dede, Rudina Çupi, Klodiana Kadillari, Neviana Shehi…

Mund të vazhdohet kështu me të gjithë poetët e kësaj përmbledhjeje poetike, mbasi secili sjell larmi motivesh nga jeta shqiptare. Motivet e atdheut askund nuk gjallijnë në shumë se në këto fletë. Dhe janë aq shumë gra dhe vajza në këtë libër që thurin vargje për atdheun, jetën, dashurinë. Ato vijnë veçanërisht nga Kosova. Motivet e tyre nuk janë të sajuara, por jetësore e njerëzore. Nuk ka cak për poezinë, se ajo hyn ashtu si dielli, si ajri kudo ku ka jetë, duke krijuar një himn atdhetarie e shqiptarie. Kjo është dhe gjëja më e rëndësishme e kësaj përmbledhjeje të gjërë me poezi. Megjithatë, aty-këtu vargjet rrokin dhe problematika sociale të tranzicionit, që duhet thënë se nuk e ngadhnjejnë, por e varfërojnë poezinë./botasot/KultPlus.com

Të ngjajshme