“Zërat e Kujtesës”, të rinjtë rrëfejnë përmes artit krimet e komunizmit

10 Mars, 2025 - 3:58 pm

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit hapi sot në mjediset e Piramidës së Tiranës ekspozitën “Zërat e Kujtesës”, me punime të nxënësve të Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës.

Punimet e nxënësve (vizatime, piktura, instalacione) janë frymëzuar nga dëshmitë e personave të persekutuar gjatë regjimit komunist, të cilat i ka botuar ISKK në kolanën “Zërat e Kujtesës”.

Drejtori ekzekutiv i ISKK, Çelo Hoxha, e konsideroi ekspozitën një konkretizim të gjallë të nevojës për njohjen e së shkuarës nga brezat e rinj, me qëllim që krimet e ndodhura gjatë regjimit komunist të mos harrohen.

Ideatorët e ekspozitës, përgjegjësja e Sektorit të Kërkimit Shkencor në ISKK, Brisejda Lala, dhe pedagogu i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, Franc Priska, shpjeguan për të pranishmit punën me nxënësit të cilët mundën që të sillnin për vizitorët përvojën në njohjen e së shkuarës, e cila tashmë është jetësuar në telajot e ekspozuara.

Më pas ishin vetë nxënësit, autorët e punimeve, që treguan përvojat personale të njohjes së të shkuarës gjatë regjimit komunist, duke treguar se prindër apo gjyshër të tyre i kishin përjetuar këto krime që tashmë nxënësit i kanë sjellë në pamjet vizuale në këtë ekspozitë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme