Zëri i gruas shqiptare në fetivalin ndërkombëtar të Ceralia-s

11 Shtator, 2024 - 3:08 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëri me dije se, Shqipëria është e ftuar si vend mik në festivalin Ceralia, ku një pjesë e eventeve dhe takimeve do të jenë mbi historinë dhe kulturën shqiptare.

Festivali Cerealia është një traditë 14-vjeçare, e cila i ka rrënjët prej antikitetit të vjetër romak. Një festival që synon të rritë vetëdijen mbi rëndësinë e tokës, kulturave vendase si dhe rizbulimin e zakoneve të vjetra të harruara në kohë.

Këtë vit, festivali do të nisë më datën 14 shtator dhe përkrah fushave të tjera si gastronomia, muzika, kostumografia do të jetë edhe letërsia shqipe. Ky festival përfshin një hapësirë të caktuar për realizimin e shkëmbimit kulturor, atë të basenit mesdhetar ku fton kulturat përreth të bëhen pjesëmarrëse duke krijuar kështu një pluralizëm kulturor.

Në takimin e datës 24 shtator, të ftuara do të jenë dy autore shqiptare, poetja Olimbi Velaj dhe Eliza Çobo, të cilat nën moderimin e Anna Lattanzit nga “Albania Letteraria” do të flasin dhe diskutojnë mbi rolin e gruas në kulturën shqiptare, mes të shkuarës dhe të tashmes. Po ashtu përgjatë takimit është planifikuar të ketë ndërhyrje me interpretime nga aktorja Anita Pagano. Ky takim vendos në qendër të vëmendjes letërsinë shqipe, fugurën e gruas shqiptare në letërsi, por edhe vetë autoret femra, të cilat kanë shkruar për gruan dhe rolin e saj në shoqëri./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme