28 Prill, 2020 - 8:00 pm
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Jusuf Thaçi, u ka bërë thirrje edhe kryetarëve të tjerë të komunave që të ndjekin shembullin e Prishtinës dhe t’i identifikojnë të gjithë ata nxënës që nuk kanë pajisje për të ndjekur mësimin online.
Ai po ashtu iu ka bërë thirrje bizneseve dhe atyre që kanë vullnet të mirë të ndihmojnë këto familje për t’ua siguruar pajisjes e nevojshme.
“Gjithashtu, sipas mundësive financiare dhe procedurave ligjore, komunat me buxhetin e vet t’i pajisin këto familje me këto mjete, në mënyrë që mësimi në distancë të mund të ndiqet nga të gjithë fëmijët e nxënësit, pavarësisht kushteve financiare e ekonomike të familjes”, ka shkruar ai në Facebook.
Statusi i plotë:
Apel për Kryetarët e Komunave
Në çdo komunë ka familje të varfëra që kanë fëmijë e nxënës që duhet ta ndjekin mësimin në distancë, por shumë prej këtyre familjeve nuk kanë pajisje dhe rrjet (TV dhe kabllovik për ta ndjekur mësimin në RTK 4 ose pajisje teknologjike dhe internet për ta ndjekur mësimin në Youtube dhe për të komunikuar me mësimdhënësit).
Prandaj ju bëj apel Kryetarëve të Komunave që ta ndjekin shembullin e Prishtinës dhe:
1. T’i identifikojnë këto familje që kanë nevojë për këtë lloj ndihme.
2. T’i ftojnë bizneset dhe individët vullnetmirë që të ofrojnë falas pajisje (TV e pajisje teknologjike) dhe pako kablloviku ose interneti për këto familje.
Gjithashtu, sipas mundësive financiare dhe procedurave ligjore, komunat me buxhetin e vet t’i pajisin këto familje me këto mjete, në mënyrë që mësimi në distancë të mund të ndiqet nga të gjithë fëmijët e nxënësit, pavarësisht kushteve financiare e ekonomike të familjes.
Pabarazinë që ka krijuar sistemi ynë ekonomiko-politik nuk guxojmë ta lëmë të kulmojë me krey-padrejtësinë që fëmijët e nxënësit e familjeve të varfëra i privon nga e drejta më themelore: shkollimi.