29 Nëntor, 2024 - 3:00 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftur se zëvendësministrja Osmani ka pritur në takim ekipin e muaythait të Kosovës, kryetarin e Federatës së Muaythait të Kosovës, pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të muaythait të organizuar në Prishtinë.
Ky kampionat, një nga më të rëndësishmit e këtij lloji, ka mbledhur në Kosovë sportistë nga 32 shtete, duke shënuar një moment historik për sportin dhe organizimet ndërkombëtare në vend.
Ekipi fitoi shtatë medalje, prej tyre dy të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta. Të artat i fituan: Lindon Demiri (U-23) dhe u shpall ylli i së ardhmes, Lorik Mehmeti (U-16), të argjendtat: Dior Guda, Erdonit Alija (juniorë), Agnesa Veseli (U-23). Me të bronztën u stolisën, Altina Topalli (U-23) dhe Orges Maliqi (junior).
Gjatë takimit, Osmani i ka përgëzuar medalistët për performancën e tyre të shkëlqyer, duke theksuar se suksesi i tyre është shembull frymëzues për të rinjtë tjerë dhe një promovim i imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com