9 Korrik, 2020 - 5:00 pm
Zgjedhjet për dekanëve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës u përcollën sot me shumë zhurmë dhe mospajtime.
Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit për dekan u propozuan tre kandidatë: Musa Selimi, Ajvaz Berisha dhe Hazir Salihu. Por ky i fundit, siç raporton EO, u tërhoq, siç tha, për arsye personale.
E kandidatura e Ajvaz Berishës u përcoll me shumë paqartësi dhe me shumë zhurmë.
“Ju po tentoni ta eliminoni dikë nga kandidatura, por nuk do të ndodhë, ose shtyni zgjedhjet deri nesër edhe të shohim te gjitha procedurat”, tha Berisha.
Në fund dekan u zgjodh Musa Selimi.
Zgjedhjet për dekan u mbajtën edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik.
Për këtë të fundit kandidoi vetëm Avni Puka, i cili u zgjodh me 30 vota për, katër kundër dhe dy abstenime.
“Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni zgjedhur, por në të njëjtën kohë ndihem me më shumë përgjegjësi ,por së bashku me juve do t’ia dalim”, tha Puka.
Ndërsa ish-dekani Haxhi Gashi tha se ka qenë privilegj që për dy mandate të jetë në krye të Fakultetit Juridik.
Në Fakultetin Filologjik u zgjodh për herë të dytë dekane Lindita Rugova, përderisa Blerim Saqipi u zgjodh në Fakultetin e Edukimit.
Në fakultetin Filozofik u zgjodh dekan Dashamir Burxulli. Vend për dekan pati edhe për një ish-ministër. Idriz Vehapi u zgjodh dekan në FShMN, e në Fakultetin e Arteve dekan u zgjodh Hazir Haziri.