6 Tetor, 2020 - 2:52 pm
Janë bërë 20 vite nga vdekja e Shkëlzen Zhubit, në tetorin e vitit 2000 në Prishtinë. Mirëpo, ajo që ka lënë pas është krijimtaria e tij artistike me të cilin vazhdon të kujtohet, shkruan KultPlus.
I lindur më 10 dhjetor 1939 në Tropojë, ai ishte pjesë e një familje atdhetare të Gjakovës, të cilët punonin për bashkim kombëtar. Përfundimi i shkollës fillore e të mesme e gjeti në Gjakovë, përderisa më pas vazhdoj të studioj në Akademinë e Arteve të Bukura në Çekosllovaki. Të afërmit e tij Shkëlzenin e kujtojnë përmes fjalëve të tij përplot urtësi, e që një ndër to është: “Njerëzit që lanë vepra në këtë botë, nuk vdesin kurrë, sepse lavdia e tyre fillon posa t’ju çel lulja e parë mbi varr.”
Zhubi sikur ta kishte thënë këtë thënie për veti, pati jetën e mbushur dhe plotë me aktivitete e angazhime në sfera të ndryshme. Për vite të tëra kontribuoj si valltar, koreograf dhe drejtor në ansamblin folkloristik “Shota”. Mirëpo, përkushtimi i tij kulturor nuk do të mbetej vetëm në suaza të valles. Shkëlzen Zhubi ishte drejtor dhe redaktor për shumë vite në Pallatin e Rinisë dhe të Kulturës, deri në vitet e 90-ta, atëherë kur pushteti largon nga puna shqiptarët. Ai ishte regjisor dhe pioner i Televizionit të Prishtinës dhe Televizionit të Shkupit.
Kontributi i tij letrar ishte kurorëzuar me anëtarësim në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Kishte organizuar disa edicione të festivalit “Akordet e Kosovës”, ishte marrë gjatë me pikturë, duke e shfaqur krijimtarinë e tij artistike në 32 ekspozita të ndryshme, në nivel vendor e nacional. Poashtu, ishte shpërblyer me çmimin “Pena e Artë” nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Kosovës.
Në vjeshtën prishtinase të tetorit ia kishte mbyllur sytë jetës, për të mbetur gjallë me veprën e tij./KultPlus.com