6 Gusht, 2020 - 5:00 pm
Shkruan: Islam Qerimi
Fillimisht në këtë artikull zgjon kurreshtje të përmendet kërkesa e princeshës së oborrit perandorak të habsburgëve, Maria Tereze, e cila kërkonte që ligjet të cilat do të nxjerreshin dhe do të vlenin në territoret nën sundimin e saj të jenë sa më të kuptueshme dhe më të shkurta.
– Kështu, në kohën e sundimit të Princeshës habsburgiane Maria Tereza (1717 – 1780), çdo ligj i ri që nxirrej, së pari duhej t’i lexohej një të ashtuquajturi njeri i thjeshtë “Buta Ember”. Por, megjithate austriakët nuk e kishin intepretuar termin “Buta Ember” për personin sipas kuptimit në gjuhen hungareze e (e që sipas hungarishtes fjalë për fjalë do të thotë “person budalla”), por e kishin fjalën për njeriun, që nuk ishte në tërësi i pa aftë, por për personin e atillë, që do të mund të identifikohej me një arsimim të thjeshtë shkollor dhe pa ndonjë njohuri të veçantë ligjore dhe administrative. Ky “Buta Ember”, sipas konceptit austriak duhej të riprodhonte përmbajtjen e normës juridike me fjalët e tij. Nëse ai nuk do të mundej, atëherë ligji duhej të rishikohej për ta bërë atë më të kuptueshëm. Ligji mund të aprovohej vetëm atëherë nëse ky njeri e kuptonte ate.
– Viti 1749 konsiderohet të jetë piknisja për kodifikimin e së drejtës në territoret e e sunduara nga oborri pernadorak i habsburgëve të Austrisë. Rol të rëndësishëm ka luajtur princesha Maria Tereze, e cila më 2 maj 1749 kishte nënshkruar udhëzimin për themelimin e Organit të Lartë Gjyqësor në kuptimin e ndarjes së Jurispudencës dhe Administratës. Ndërsa, në vitin 1752 kishte dhënë urdhër për themelimin e dy Komisioneve të Oborrit për Nxjerrjen e Ligjeve (Compilationshofcommissionen). Njëri komision do të merrej me hartimin e kodit penal e tjetri me kodin civil.
– Prandaj, me iniciativë të Princeshës Maaria Tereza u hartua kodi civil austriak i Terezes (Codex Theresianus). Ky kod ishte hartuar për të siguruar që të gjithë banorët e monarkisë të gëzonin status të barabartë para ligjit (für alle Stände ohne Unterschied”. Puna për hartimin e këtij kodi kishte ndodhur në vitet 1753 – 1780.
– Puna vazhdoi nën Perandorin Jozef II (1741 – 1790) (Josephinisches Gesetzbuch), si dhe përfundoi më 1 qershor 1811 me botimin e Kodit të Përgjithshëm Civil (ABGB) dhe kishte hyrë në fuqi më 1 janar 1812.
– Në historiografinë e hartimit të Kodit Civil Austriak rol të rëndësishëm kanë luajtur fillimisht Karl Anton von Martini (vijues i shkollës së drejtës natyrore) si dhe më vonë Franz von Zeiller. Zeiller konsiderohet krijues i këtij Kodi. Kodi konsiderohet të jetë kodi më i vjetër në hapësirat gjermanofolëse dhe i dyti pas Kodit Civil francez.
– Kodi Civil austriak është kodifikimi më i rëndësishëm në Austri dhe është edhe sot në një pjesë të madhe në fuqi. Vetëm tre ndryshimet në ABGB të viteve 1914, 1915 dhe 1916 sollën ndryshime të mëdha në disa fusha, gjithashtu nën ndikimin e Kodit Civil Gjerman të vitit 1896.
– Reforma të gjera në të drejtën civile austriake nuk u bënë deri në vitet 1970 (sidomos në të drejtën familjare; për shembull, në vitin 1984). Ndërsa, më 1 janar 2017, hyri në fuqi ligji për ndryshimin e ligjit të trashëgimisë në Austri.
– Kodi Civil i Austrisë (Das Allgemeine bürgerliche Gesetzbuch – ABGB) klasifikohet sipas sistemit institucional. Ai ndahet në tri pjesë që janë: në personae (e drejta familjare dhe të personave), res (e drejta sendore, duke përfshirë të drejtën e trashëgimisë dhe detyrimeve) dhe një pjesë të tretë, e cila përmban dispozita të përbashkëta.