5 Qershor, 2021 - 10:48 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me komunën e Tuzit në Mal të Zi, zhvilluan Konferencën e V Mbarëkombëtare të Arkivistikës.
Kjo konferencë bëri bashkë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët si çdo vit, diskutuan për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.
Hapja e Konferencës u përshëndet nga Drejtori i DPA-së, Prof.asoc.dr Ardit Bido, kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës Mr.Sc.Bedri Zyberaj si dhe zyrtari i Komunës së Tuzit, Mark Lucgjonaj.
“Është kënaqësi e veçantë për mua që së fundmi, Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës po zhvillohet në Tuz, po zhvillohet në Malësi sepse që kur e kemi nisur këtë konferencë të përbashkët mbarëkombëtare të arkivistikës në fakt ne kemi vendosur që kjo do të jetë konferencë e shqiptarëve ngado. Jo si pikëpamje nacionaliste po si një pikëpamje thellësisht patriotike dhe profesionale. Arkivat e kombit tonë janë një. Mund të jenë të ndara ne institucione të ndryshme, mund të jenë të ndara në shtete të ndryshme po kur vjen fjala për historinë tonë ajo histori është kombëtare”, tha Bido.
“Falënderoj shumë në emër të dy arkivave që organizojnë këtë konferencë dhe në emrin e të gjithë pjesëmarrësve këtu, komunën e Tuzit, që me përkrahjen e me mbështetjen që iu dha dy institucioneve tona për ta mbajt Konferencën e V në Tuz, pra i dha një dimension tjetër, e zgjeroi, pikërisht ashtu siç ka qenë e ideuar në krye të herës”, u shpreh Zyberaj.
“Është një kënaqësi e veçantë për komunën e Tuzit që së bashku me dy institucione kaq të rëndësishme siç janë arkivi i Kosovës dhe i Shqipërisë të organizojmë së bashku Konferencën e V Mbarëkombëtare këtu në Malësinë tonë. Ndihem i lumtur që kjo sallë sot mirëpret kaq shumë njerëz të letrave, të studimeve, të atyre që çdo ditë të jetës së vet ia kushtojnë kulturës, historisë, kombit, gjuhës, kujtesës, pra atdheut”, tha Lucgjonaj.
Temat e diskutuara kishin të bënin specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse. Në fokus ishin çështjet që kanë të bëjnë me arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale, bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore, trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare, etika dhe arkivat, ndryshimet klimaterike dhe arkivat, trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional si dhe turizmi dhe promovimi i arkivave.
Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare të pranishëm me kumtesa ishin dhe profilet e tjera të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.
Konferenca e V Mbarëkombëtare është traditë që vazhdon mbas katër të parave të mbajtura në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Sarandë. /atsh/ KultPlus.com