Zia e Madhe e Bukës​ ose siç njihet ndryshe “Kriza e Patates”, tragjedia më e mëdha në historinë e Irlandës

22 Mars, 2021 - 3:55 pm



Jemi në vitin 1845. Popullsia e Irlandës ishte rreth 8 milionë. Deri në vitin 1850, një milion e gjysmë njerëz do të vdisnin si pasojë e zisë së bukës! Dy milion të tjerë do te emigronin, kryesisht në Britani ose në Shtetet e Bashkuara, në kërkim të një jete më të mirë.

Por, ç ‘gjë e shkaktoi këtë zi buke kaq të madhe?

Rreth fillimit të shekullit të 19-të, Britania e Madhe e kishte shtrirë sundimin e saj mbi një pjesë të madhe të botës. Këtu përfshihej edhe Irlanda. Pjesa më e madhe e tokave të Irlandës ishte nën zotërimin e pronarëve anglezë, shumë prej të cilëve jetonin në Angli. Këta pronarë që nuk jetonin në Irlandë, iu vinin qira të larta qiramarrësve të tyre irlandezë dhe u jepnin paga të ulëta për punën e tyre.

Mijëra bujq qiramarrës jetonin në një varfëri të thellë. Duke mos qenë në gjendje të blinin mish, si dhe shumë ushqime të tjera, njerëzit rrisnin pataten, që në kushtet e tyre ishte bima me më pak shpenzime, më e lehtë për t’u rritur dhe më ushqyese. Por në vitin 1845, të mbjellat e patates u goditën nga sëmundja kërpudhore (Phytophthora infestans), e njohur ndryshe si vrugu. Si rezultat u shkatërruan te gjitha të mbjellat. Filloi uria e madhe.

Situata rendohej edhe nga Corn Laws (Ligjet e Misrit), – dogana e lartë që i kishte vënë parlamenti i Londrës importit të drithërave, për të mbajtur lart çmimin e drithërave vendas, që i interesonte çifligarëve, të cilët kishin shumicën në Dhomën e Lordëve.

Mbretëreshë ishte Viktoria. Kryeministër ishte Robert Peel.

Ishte popullore teoria e Maltusit, që popullsia rritet më shpejt se prodhimi bujqësor prandaj duhen luftërat, epidemitë, urite; për të mbajtur nën kontroll popullsinë.

Thirrjeve për të ndihmuar irlandezet që të mos vdisnin, qeveria angleze i përgjigjej me teorinë se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë brenda te ardhurave te veta, po i ndihmuam këtë radhë do kërkojnë gjithmonë dhe do të krijohet varësi. Çfarë do mendojnë ata që e fitojnë vet nëqoftëse disa te tjerëve u japim lëmoshë?

Me ne fund, me këmbënguljen e Viktorias, Peel arriti te bindte parlamentin të abrogonte Ligjet e Misrit.
1 milion e gjysmë irlandez humben jetën.

Shumë nga pronarët e tokave, të cilët nuk banonin në Irlandë, vazhdonin t’i kërkonin qiratë. Shumë prej qiramarrësve nuk ishin në gjendje për të paguar dhe, si pasojë, mijëra u dëbuan nga tokat e tyre. Për një numër njerëzish që sa vinte e shtohej, emigrimi u bë e vetmja mundësi.
Rreth vitit 1850, në qytetin e Nju-Jorkut 26 për qind e banorëve ishin irlandezë, madje kishte më shumë qytetarë irlandezë atje, sesa në kryeqytetin e Irlandës, Dublin.

Gjatë gjashtë viteve të zisë së bukës, pesë mijë anije bënë udhëtimin e rrezikshëm prej 5.000 kilometrash duke përshkuar Atlantikun.
Anijet që lundronin drejt Amerikës u quajtën anijet e vdekjes.

Sot, në të gjithë Irlandën, mure të shkatërruara dhe shtëpi të rrënuara qëndrojnë si përkujtues të zymtë të kohëve të vështira që sollën si pasojë diasporën mjaft të përhapur irlandeze. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 40 milionë njerëz mund të pohojnë se kanë prejardhje irlandeze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi, si dhe Henri Ford, shpikësi i makinës së tipit Ford, janë pasardhës të drejtpërdrejtë të emigrantëve që erdhën me anije nga Irlanda, në kohën e zisë së bukës.

Pothuajse dyqind vjet pas tragjedisë së tmerrshme, Mbretëria e Bashkuar nuk ka bërë asnjë deklaratë për përgjegjësi. Kohët e fundit është folur edhe për gjenocid.

Fotografia: Dublino, a “An Gorta Mór”. / KultPlus.com

Të ngjajshme