26 Nëntor, 2019 - 10:43 pm
Edi Rama ka shpjeguar për zjarrëfikësin vlonjat, i cili që nga mëngjesi është përballë me gërmadhat. Më poshtë keni të plotë statusin e Edi Ramës.
Në ditë me diell, kjo do titullohej thjesht PHOTO OF THE DAY. Por sonte kjo foto kërkon shpjegim. Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni.
E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim.
Deri në frymën e fundit për frymën e fundit./KultPlus.com