1 Shkurt, 2020 - 11:40 pm
Zv. ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar dhe të recitojë poezitë e rilindësve. Në shfaqjen poetiko-muzikore që do të mbahet të hënën në Teatrin Kombëtar, mësohet se do të interpretojë krahas artistëve të njohur të skenës shqiptare edhe Robert Wilton, zv.ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
Lajmi është bërë publik nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në rrjetet sociale.
“Shfaqje poetiko-muzikore me poezitë e rilindësve, Naim Frashërit Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Andon Zako Çajupit, Asdrenit dhe të Migjenit e Ismail Kadaresë.
“Njëqind vjet Tirana kryeqytet, njëqind vjet parlamentarizëm shqiptar. Çfarë ka ndryshuar që atëhere e deri më sot? Ejani ta zbulojmë përgjigjen nga poetët tanë të mëdhenj.
Interpetojnë: Anila Bisha, Adriana Tolka, Juli Emiri, Romir Zalla, Robert Ëilton, Robert Budina.
Tek salla e Teatrit Kombëtar, të hënën, më 3 shkurt 2020”, njofton Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Ngjitja në skenën e Teatrit Kombëtar të një diplomati vjen në një kohë kur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, disa herë është deklaruar në javët e fundit se godina aktuale do të shembet, për t’i hapur rrugën projektit të ri. /KultPlus.com