Zvicra nuk i dorëzohet presionit të jashtëm, s’i mbyll qendrat e skijimit

3 Dhjetor, 2020 - 3:32 pm

Ministri zviceran i Shëndetësisë, Alain Berset, ka thënë se Zvicra nuk do të përkulet para presionit të jashtëm për t’i mbyllur qendrat e skijimit në kohën e festave të fundvitit pasi një veprim i tillë u mor nga disa vende fqinje. Sidoqoftë, ai tha se shkalla e infeksionit në shtetin helvetik mbetet shumë shqetësues.

Qeveria pritet që të premten të diskutojë për qasjen e “rrugës së mesme” për luftimin e pandemisë, e cila e ka lënë Zvicrën vend relativisht të hapur dhe të mbështetur në respektimin e masave higjienike nga publiku.

Vendet fqinje të Zvicrës, Franca, Italia dhe Gjermania, do t’i mbajnë të mbyllura qendrat e skijimit, Austria do ta lejojë rihapjen e tyre për Krishtlindje, ndërsa pushimet dimërore në këto qendra do të jenë pothuajse të pamundura.

“Zvicra nuk reagon ndaj presionit nga shtetet tjera”, tha ministri Berset para gazetarëve pasi i vizitoi punëtorët shëndetësorë në Basel, duke thënë se Berni është në kontakt të vazhdueshëm me fqinjët.

“Nuk ka presion mbi ne, por mund të ketë vështirësi për reputacionin e Zvicrës, nëse ka përhapje të papritura në mbarë Evropën dhe të tjerët do të thoshin se ato po vijnë nga Zvicra. Atëherë nuk ka rëndësi a është e vërtetë apo jo. Është shumë e pakëndshme për ne”, tha ai.

Që nga fillimi i pandemisë, Zvicra ka regjistruar më shumë se 340 mijë të infektuar dhe 4.747 të vdekur nga sëmundja COVID-19, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express. / KultPlus.com

Të ngjajshme