2 Mars, 2022 - 3:09 pm
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përmes një deklarate për media, u ka bërë thirrje deputetëve që të miratojnë Kodin Civil.
BE thotë se dështimi i miratimit të këtij kodi do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
“Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë. Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë kosovare, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI. Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent (gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare. Kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë e barabartë (50 me 50). Për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeçare siç rekomandohet në vendet e BE-së. Gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave”.
BE thotë se deputetët duhet të marrin në konsideratë këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij Kodi, “veçanërisht kur bëhet fjalë për garantimin e të drejtave të grupeve më të cenueshëm”. /KultPlus.com