10 Tetor, 2020 - 4:35 pm
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. Zyrtari policor është arrestuar nën dyshimet se ka rrahur bashkëshorten e tij.
“IPK ka pranuar sot informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Pejë ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij të cilës i është ofruar edhe ndihma mjekësore”, shton njoftimi.
I njëjti është lënë në ndalim për 48 orë.
“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, sqaron komunikata.
“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com