18 Janar, 2020 - 11:02 pm
Përmes një atmosfere fantastike plot muzikë dhe ngjyra, qindra të rinj të Tiranës u mblodhën në prezantimin e logos fituese te Tiranës për 100-vjetorin e saj si kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, përmes rrjetit social “Facebook” tha se ky është një moment fantastik dhe është momenti për të reflektuar e ëndërruar për Tiranën e 100 vjetëve të ardhshme dhe se në votimin online morën pjesë mbi 35.000 votues, ku fitues me pak vota diferencë u përzgjodh “Karrota” nga Kosova.
“Ky është një moment fantastik jo vetëm për të reflektuar, por edhe për të ëndërruar, çfarë Tirane do të projektojmë në 100 vitet e tjera, çfarë teatri do të kemi në 100 vitet e tjera, çfarë rruge do të kemi në 100 vitet e tjera, në cilat bulevarde do të ecim në 100 vitet e tjera, çfarë do të bëjmë për fëmijët në 100 vitet e tjera”.
“Mbi 35K votues morën pjesë në votimin online për logon e 100-vjetorit të Tiranës Kryeqytet! Fitues me pak diferencë është Karrota nga Kosova! 🇽🇰🇦🇱 #Tirana100
Urime! Ndërkohe, 3 finalistët e tjerë do të jenë pjesë e aktiviteteve të këtij viti!”, shkroi Veliaj. KultPlus.com