27 Prill, 2019 - 11:00 am
“Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” është studimi shkencor i autorit Dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në degën e gjuhësisë, që u botua nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Ky botim plotëson tablonë e studimit të të folmeve shqipe të Kosovës dhe si i tillë paraqet një kontribut me vlerë për studimet në gjuhësinë shqiptare. Punimi ndahet në 8 krerë, që ndërthuren me njëri-tjetrin, e ku përfshihen:
– Të dhëna të përgjithshme për Istogun me rrethinë,
– Fonetika (theksi, sistemi zanor, sistemi bashkëtingëllor, togjet zanore, diftongjet dhe grupet e bashkëtingëlloreve);
– Dukuritë fonetike (metafonia., apofonia, kontraksioni, shurdhimi, sonorizimi, asimilimi, disimilimi, rëniet e tingujve, metateza, elizioni, aglutinacioni, palatalizimi, reduktimi, kontraksioni i zanoreve, kontraksioni i bashkëtingëlloreve dhe analogjia).
– Morfologjia (sistemin emëror, sistemin mbiemëror, sistemin foljor, disa përemra, disa numërorë etj., si dhe pjesët e pandryshueshme të ligjëratës: ndajfoljet, lidhëzat, nyjat, pasthirrmat, onomatopetë etj.).
– Fjalëformimi si një prej shtyllave kryesore (parashtesat, prapashtesat, parashtesat dhe prapashtesat njëkohësisht, paranyjëzimi, kompozimi, përngjitja dhe konversioni).
– Sintaksa.
– Tekste dialektore.
– Fjalorth dialektor .
Dalja në dritë e veprës së Dr. Sejdi Gashit zgjeron edhe më tej studimet e dialektologjisë shqiptare dhe vjen pasi autori kishte bërë shumë studime që kur ishte student dhe më vonë duke botuar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta dhe revista shkencore./ KultPlus.com