109 vite nga vdekja e poetit të shquar, Josif Bageri

15 Qershor, 2024 - 10:20 pm

Më 15 gusht 1868 në fshatin Reka e Epërme të Dibrës lindi Josif Bageri, arsimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gazetar e atdhetar i flaktë, ai ia kushtoi tërë jetën dhe veprën e tij çështjes kombëtare shqiptare.

Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kaloi në vendlindje. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjeçare, ku mërgoi dhe për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune, prej vitit 1887 u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare atje.

Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar të vitit 1893, në Sofje. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Ky takim i la mbresa të mëdha.

Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare, pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime.

Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim të ngushtë me Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë.

Vdiq në Prishtinë në vitin 1915 më 15 qershor. / KultPlus.com

Të ngjajshme