26 Shtator, 2018 - 11:42 am
Me datë 25 shtator u bënë 11 vite nga vdekja e At Zef Pllumit.
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje del sërsih në vitin 2003.
Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi vazhdimisht edhe për libra të tjerë.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarve me çmimin “Penda e Artë”. / KultPlus.com