18 Qershor, 2021 - 9:53 am
Sami bej Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, ka qenë funksionar dhe intelektual i Perandorisë Osmane si dhe gazetar, dramaturg dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.
Ndryshe nga Naimi që iu përkushtua gjuhën amtare, Samiu bashkëpunoi për reformën e gjuhës osmane-turke, në hapësirën shprehëse të së cilës loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare. Është autor i njërit prej romaneve më të hershëm të gjuhës osmane, titulluar Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât (shqip. Dashuria e Talatit me Fitneten) botuar më 1872.
Samiu lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh muslimanë të përkatësisë bektashie, me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.
Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes së bashku me Naimin në Teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.
Më 1872 po prapë me Naimin, u vendos në Stamboll ku nisi punë në administratën osmane dhe i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge nisi të përkthente “Të Mjerët” e Hygoit në osmanisht. Për dy vite u caktua që të punonte në Tripoli ku redaktoi gazetën lokale ‘Tarablus’ për t’u kthyer më pas sërish në Stamboll ku nisi të shkruante në gazetën ‘Sabah’. Më 1877 sërish u caktua gjetkë, duke shërbyer në Rodos si sekretar i vilajetit. Më pas u caktua në Janinë, si sekretar i komisionit ushtarak. Pasi u kthye në Stamboll, u emërua kryeredaktor i gazetës Tercümân-i Șark dhe nuk do të lëvizte më për pjesën e ngelur të jetës së tij. U shqua si një ndër intelektualët më në spikamë të kryeqytetit osman, duke drejtuar dhe redaktuar disa gazeta, duke shkruar mbi dymbëdhjetë libra në osmanisht si ”Insan” (Njeriu), ”Medeniyet-i Islamiye” (Qytetërimi islam) and ”Kadınlar” (Gratë). Hartoi një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, një fjalor të gjuhës arabe më 1898, një fjalor në dy vëllime në osmanisht (1899-1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam. Duke shtuar këtu një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, të titulluar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Më 1874 Samiu kishte shkruar dramën “Besa yahut Ahde Vefa” (shqip: Besa ose Mbajtja e Fjalës) në osmanisht me temën rreth çështje së një etnie shqiptare, të lidhur me një territorialitet etnik, një diversitet etno-kulturor që mëton përbashkimin, nderin, besnikërinë dhe vetëflijimin osman. Me këtë vepër Samiu u përpoq t’i paraqiste shqiptarët nën një dritë tjetër për opinionin osman, duke e informuar për moralin, vlerat, zakonet e traditat e shqiptarëve të cilët i mendonte një element tejet të rëndësishëm të perandorisë; gjithashtu donte të hidhte themelet e një teatri autentik osman, i cili asokohe kishte shumë ndikime të jashtme. Për audiencën më të hollë elementi i besës nënkuptonte zhvillimin ushtarak e politik që mund të merrte.
Më 1901 u përkthye në gjuhën shqipe nga miku i tij, Abdyl bej Ypi dhe u botua nga Kristo Luarasi në Sofie, ndërkohë që ishte pjesë e kurrikulave shkollore në Mësonjëtoren e Korçës deri kur u mbyll më 1902. Përkthimi shqip i dramës nga autoritetet osmane mbahej si “nxitës i ndjesive kombëtare të shqiptarëve” dhe pas Revolucionit Xhonturk më 1908 kishte raportime se çeta kaçakësh luanin pjesë nga drama rreth zjarrit. Drama e Samiut nuk do të shfaqej gjer pas kalimit të Revolucionit Xhonturk, më pas u shfaq për tre vjet të tjera deri më 1911-1912.
Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë e “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.
Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është , botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.
Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.
Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri “Besa”, e botuar më 1875 (?) e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.
Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: “” (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj.
Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll më 18 qershor të vitit 1904. / KultPlus.com