13 Maj, 2020 - 12:53 pm
Poeti lirik arbëresh Zef Serembe lindi në Strigar të Kozencës. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim De Radën. Që herët u lidh me lëvizjen garibaldine dhe më vonë me lëvizjen çlirimtare në Shqipëri.
Ngjarjet politike shoqërore në Itali pas bashkimit të saj e zhgënjyen rëndë dhe bashkë me fatkeqësitë vetjake (vrasja e të ungjit, vdekja e së dashurës) i shkaktuan një krizë të thellë shpirtërore. Në këtë gjendje, më 1875 mori udhën për Brazil, në kërkim të varrit të vajzës së dashur, por pa kaluar moti kthehet në vendlindje, ku vazhdon të mos gjejë prehje. I tronditur shpirtërisht, merr përsëri udhën e mërgimit dhe e mbyll jetën në një gjendje çrregullimi të rëndë mendor, në San Paolo të Brazilit.
Në vitin 1883 botoi vëllimin me vjersha italisht “Poesie italiane e canti originali tradotti dell albanese” (“Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”), në v. ’90 një përmbledhje me tingëllima italisht “Sonetti vari”. Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Pas vdekjes, i nipi, K. Serembe, botoi një pjesë të krijimeve poetike të tij në përmbledhjen “Vjershe” (1926). Serembe lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë.
Në vjershat atdhetare grishi në luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar (“Elegji”, “Kujtim” etj.) dhe të zhgënjyer nga jeta. Në poezinë e tij të përshkuar nga një ndjenjë malli, gërshetohen optimizmi e stoicizmi me nota të trishtuara mistike e pesimiste. Serembe është poet i frymëzuar spontan. Poezia e tij është shprehje e kontradiktave dhe e zhgënjimit tragjik që përjetonin intelektualët arbëreshë. Poeti kërkon strehë e ngushëllim te feja, po edhe ajo nuk e qetëson dot. Nota e re kushtruese që dallon lirikën atdhetare dhe një pjesë të lirikës shoqërore të Serembes gjeti shprehje kryesisht përmes stilit patetiko-oratorik; motivet e zhgënjimit, të vetmisë, konflikti me shoqërinë, gjetën shprehje kryesisht përmes stilit liriko-introspektiv. Ky i fundit harmonizohet me veçoritë e individualitetit krijues të Serembes, të spontanitetit gati naiv, gati fëmijëror, që e bën poezinë e tij të freskët e komunikuese. Poezia e tij është një poezi ngjyrash e dritash të forta. Figurat e tij më të dashura janë antitezat, metafora e simbolet. Serembe vijoi traditën e ndikimit nga poezia popullore. Ndërsa De Rada e Dara u ndikuan kryesisht nga këngët tradicionale epiko-lirike, Serembe mbështetet te xgargetat (këngë të reja popullore të erotikës arbëreshe, të krijuara nën ndikimin e poezisë popullore italiane të Kalabrisë).
Falë kërkimeve për tekstet e panjohura të poezive të Serembes vitet e fundit janë bërë disa botime të veprës së tij (“Omaggio a Giuseppe Serembe”, Cosenza, 1988 ; “Alla ricerca del Serembe autentico”, Cosenza, 1991 ; “Poezi”, Tiranë, 1999 ; “Më të bukurës në Strigar”, Tiranë, 2000), që plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit. / Redaktori.net / KultPlus.com