8 Mars, 2022 - 8:45 pm
Më 8 mars 1902, në Elbasan lindi Et’hem Haxhiademi, poeti dhe dramaturgu më i shquar i periudhës së pas pavarësisë, i pajisur me një kulturë të gjerë në Universitetet e Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, zotërues i disa gjuhëve të huaja.
Pas vendosjes së regjimit komunist në vend, u arrestua si armik i popullit dhe mbështetës i Ballit Kombëtar, dhe u dënua me vdekje, dënim që iu zëvendësua me burgim të përjetshëm, që e kaloi në burgjet e Elbasanit, Gjirokastrës, për ta përfunduar në Burrel.
Themeluesi i tragjedisë shqiptare me veprat “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”, njohësi i mirë dhe përkthyesi në burg për gati 20 vjet i greqishtes së vjetër, latinishtes, gjermanishtes, turqishtes, intelektuali i dalluar për kulturën klasike, mbylli sytë në Burrel, më 17 mars 1965. Ende sot, Et’hem Haxhiademit nuk i dihen eshtrat.
Ai shkroi gjithashtu dy vëllime me poezi dhe përkthimin nga latinishtja e “Bukolikëve” të Virgjilit. / KultPlus.com