13 Shkurt, 2023 - 6:30 pm
Georges Simenon, një nga shkrimtarët më të famshëm belgë, lindi më 13 shkurt 1903. Bën pjesë tek pesëmbëdhjetë shkrimtarët më të përkthyer në botë dhe ka mbi 500 punime, përfshirë romane, tregime të shkurtra, kujtime, koleksione artikujsh, shkrime dhe tekste të ndryshme botuar me pseudonime.
Që në fëmijëri, Simenon përjetoi konflikte sociale dhe kulturore, që reflektonin shtresat e ndryshme sociale të prindërve. Ishte person që pëlqente të provonte dhe ta sprovonte veten. Ulej të punonte në të gdhirë, i “armatosur” me 20 lapsa të mprehur mirë e 12 llulla, përdorimi i të cilave e ndihmonte të përqendrohej e të shmangte ndërprerjet e mundshme. E rëndësishme ishte ta tregonte historinë me një frymë, duke shmangur stukimet formaliste.
Ai kishte fatin e klasikëve: i lexuar pak nga kritikët, por i cituar në çdo deklaratë; i zhvatur nga të gjithë dhe përfundimisht i panjohur. Për punën e tij fliste si “gjysmë-letërsi”. Fillesat e karrierës i pati në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, duke punuar për një gazetë në Liege, qytetin e tij të lindjes, ndërsa shkrimin e filloi pasi u transferua në Paris. Historitë dhe romanet që u botuan për herë të parë në emrin e tij kishin të bënin me ngjarjet e komisarit francez Zhyl Megre, të shkruara që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar.
Personalitet i shqetësuar, Simenon u martua dy herë; kishte marrëdhënie të ndryshme dhe, mbi të gjitha, shumë herë ndryshoi qytete dhe shtete. Me një stil të thjeshtë dhe në të njëjtën kohë të dendur dhe plot tension, puna e tij aspironte të zbulonte njeriun përtej maskave të tij të panumërta.
“Meqë koha maksimale që më merr një roman është njëmbëdhjetë ditë, kjo më kushton 55 ditë punë në vit, për pesë romane”, shprehet Simenon.
Ishte adhurues i festave mondane, nga ku mori edhe frymëzimin e krijimit të personazhit Zhyl, tregimet e të cilit do të marrin si dekorim Parisin e zi të viteve 1930.
I përshkruar shpesh si njeri shumë elegant, i kushtonte vëmendje të veçantë veshjes, e cila përbëhej nga lloje të panumërta pantallonash, xhaketash, këmishash dhe më shumë se gjashtëdhjetë palë këpucë, të gjitha të punuara me dorë. Dhomë e veshjes ishte në të katër anët me pasqyra, kështu që mund ta vëzhgonte veten në veshjen e tij nga të gjitha këndet. Louis Vuitton e ka renditur Simenon si një nga klientët më besnikë. Veshja është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm në trillimet e Simenon. Përshkrimet e hollësishme të veshjeve të inspektorit Megre, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij personazhi.
“Unë shkruaj shpejt, sepse nuk kam mendje të shkruaj ngadalë”, thotë autori.
Simenon zakonisht shkruante 6,000-8,000 fjalë në ditë, ose 60 deri në 80 faqe dhe i duheshin afërsisht 11 ditë për të përfunduar një roman.
Në moshën 70-vjeçare ai ndaloi së shkruari romane. Vdiq më 4 shtator 1989./ KultPlus.com