10 Janar, 2022 - 7:00 pm
Më 10 janar të vitit 1893, në qytetin e Korçës, u lind mësuesi, përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe ndoqi mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Studimet universitare i ndoqi në Vjenë në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte një nga studentët që i paraqitën letrën presidentit amerikan Willson në lidhje me çështjen shqiptare.
Me kthimin në atdhe u emërua mësues në qytetin e Shkodrës dhe drejtor i Gjimnazit të Shkodrës. Në aspektin politik, ai ishte një nga mbështetësit e Lëvizjes së Qershorit dhe përkrahës i Nolit, dhe për këtë arsye u detyrua të largohej nga vendi pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. U vendos në Beograd për disa vjet, ku shërbeu edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet, më tej emigroi në Vjenë, Graz dhe Fiume (Rijeka), dhe për disa kohë ishte edhe anëtar i KONARE-s.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, kthehet në atdhe dhe më 1942 mori postin e ministrit të arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, ku ndihmoi në lirimin e disa patriotëve shqiptarë me profesion mësues, të internuar nga italianët. Ishte një nga themeluesit dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij shkencor. Xhevat Korça ka dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e përkthimeve, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në dorëshkrim në AQSH. U dënua nga Gjyqi Special në prill të 1945 me vdekje, por që iu konvertua në burgim të përjetshëm. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në korrik të vitit 1949.
Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë nga një letër që Fan Noli i dërgon Xhevat Korçës në lidhje me përkthimet e tij dhe probleme të tjera. / KultPlus.com