24 Janar, 2022 - 6:00 pm
Më 24 janar të vitit 1889 lindi poeti dhe dramaturgu rumun me prejardhje nga Korça, Viktor Eftimiu, shkruan KultPlus.
Viktor Eftimiu lindi në Boboshticë dhe vdiq në Bukuresht më 27 nëntor të vitit 1972. Ai pati miqësi me shumë shqiptarë në Bukuresht, e në veçanti ishte mik i aktorit me prejardhje nga Kavaja, Aleksandër Moisiut.
Ai është konsideruar si një poet dhe dramaturg rumun me prejardhje shqiptare i përmasave të mëdha. Me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, ai ishte edhe eseist.
Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë.
Drama e tij “Njeriu që pa vdekjen me sy” është shfaqur disa herë ne teatrot shqiptare. / KultPlus.com