25 Shkurt, 2021 - 9:29 pm
Norbert Jokl, albanolog austriak me prejardhje hebreje, gjuhëtar dhe mik i madh i shqiptarëve lindi 134 vite më parë, më 25 shkurt 1887. Jokl njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë.
Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Kalvari i Joklit zë fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale.
Jokl u përpoq të gjente një punë jashtë vendit, por kjo ishte gjithashtu e kotë. Shansi i tij i fundit ishte një pozicion bibliotekar që u krijua për të në Shqipëri me një pagë mujore prej 600 frangash shqiptare.
Prifti françeskan dhe shkrimtari kombëtar shqiptar, Gjergj Fishta, ndërhyri përmes një letre, të datës 23 shtator 1939 dërguar Francesco Jacomoni, nën-regjent në Shqipëri, për të kërkuar që Italia të ndërhynte me Rajhun e Tretë në mënyrë që të lejonte transferimin e Jokl në Shqipëri.
Vetë Jokl dëshironte të emigronte në Shqipëri. Sidoqoftë, as përpjekjet e Gjergj Fishtës, as ato të Carlo Tagliavini, një profesor i Universitetit të Padovës, dhe as thirrja e Galeazzo Ciano, Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, nuk ia dolën ta marin lejen e nevojshme që Jokl të emigrojë në Shqipëri.
Në një nga kërkesat e tij, ai gjithashtu kërkoi leje për të marrë bibliotekën e tij, por u kundërshtua nga Dean Christian, i cili ishte shumë i interesuar të mbante koleksionin e gjerë të Jokl në Universitet. Biblioteka e Jokl gjithashtu përmbante veprën e tij jetësore dhe shtesat e shkruara me dorë të fjalorit shqip nga Gustav Meyer.
Pas një pune të zellshme dhe të pandërprerë botoi veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Ëortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj.
Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Gustav Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.
Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Ai u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij. Si datë e vdekjes së Norbert Jokl konsiderohet 6 maji i vitit 1942. / KultPlus.com