6 Korrik, 2022 - 11:00 pm
Si sot, më 6 korrik të vitit 1886, lindte Marc Bloch, i gjykuar shpesh si babai i historiografisë moderne perëndimore, e mbase teoricieni më i rëndësishëm i ndërthurjes studimore të historisë me shkencat sociale (si sociologjia, ekonomia dhe psikanaliza). Njëkohësisht, Bloch shquhet gjithashtu si një ndër hulumtuesit më të mëdhenj në studimet mesjetariste të Evropës Perëndimore.
Në një kumtesë të mbajtur më 29 janar të vitit 1937, me titull domethënës “Ç’t’i kërkohet historisë?” (Que demander à l’histoire?) ai pohonte se:
“… është i qenësishëm rreziku që të tashmen t’ia mbivendosim të shkuarës, si dhe, nga ana tjetër, ta kthejmë të shkuarën në pasqyrim të të tashmes. Ndryshimi dhe dallimet janë dy elemente që historiani duhet të marrë gjithmonë parasysh në punë e tij. Në këtë kuptim, zanati i historianit i ngjason atij të hetuesit, siç dhe atij të psikoanalistit. Në të vërtet, ai duhet të dijë të merret me të dhëna (indices); ai përpiqet të rindërtoje një histori, ose, për të thënë më saktë, t’ia arnojë kuptimin një ndodhie përreth një boshllëku, ndodhi të cilës i kanë humbur të vërtetat, siç i ka ikur edhe koha. Rrjedhimisht, hulumtimi historik është një përpjekje, e pasigurt dhe e paplotë, për të sjellë në jetë të vërtetën e një ngjarjeje, që ka dalë jashtë kohës në të cilën ajo ndodhi. Dhe asgjë nuk mund t’i japë hulumtuesit sigurinë se, në fund të procesit të shkimit, t’ia ketë dalë të heqë shenja barazimi midis tre elementeve – të vërtetës, ngjarjes dhe kohës së vet. Ndaj vepra e historianit nuk mund të jetë tjetër veçse e lëkundshme, përherë e mundur që të përballet me ndryshime. (…) Nëse faktorët ndryshojnë, në kohë dhe hapësirë, njësoj edhe ngjarjet e mëvonshme mund të jenë veçse të ndryshme, në kohë dhe hapësirë. Për këtë arsye, të shoshisësh të shkuarën me qëllim që të gjesh në të vija udhëheqëse apo përligjien e të tashmes nuk është vetëm metodologjikisht e gabuar, por edhe zgjedhje e pamundur. E nuk mund të të çojë tjetër veçse në dështim.”
Marc Bloch vdes më 16 qershor 1944, i pushkatuar nga trupat naziste, të cilat ai, hebre francez dhe me medalje ushtarake të përftuar përgjatë konfliktit të parë botëror, kishte rreth katër vjen që i luftonte në klandestinitet dhe në bashkëpunim me qëndresën antifashiste frënge.
Trashëgimia e tij intelektuale do të mbesë në fondin e shkollës së “Annales” që ai themeloi bashkë me kolegun e vet të shquar, Lucien Febvre, si dhe në faqet e revistës “Annales d’histoire économique et sociale” – ende sot prodhimi më i njohur dhe me më autoritet i shkencës historike në kulturën perëndimore. /Edon Qesari/ KultPlus.com