5 Janar, 2024 - 9:30 am
At Anton Harapin, i pushkatuar nga regjimi komunist, lindi më 5 janar 1888 në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-1919, shërben si famullitar në Malësinë e madhe. Gjatë viteve 1922-1924 ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”.
Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më pas në vitin 1924 bëhet drejtor i tij. Në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës” dhe gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme, si dhe botoi disa libra.
Më 1940, u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 e më pas më 20 shkurt 1946 u pushkatua nga diktatura. / KultPlus.com