15 Tetor, 2022 - 9:45 am
140 tituj librash të autorëve të mëdhenj klasikë nga Biblioteka Kombëtare iu dhuruan bibliotekës publike “Dritëro Agolli” në Fier.
Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila zhvilloi një vizitë sot në këtë bibliotekë në kuadër të Tetorit të Librit.
“Bashkë me deputetet e Qarkut të Fierit Antoneta Dhima dhe Mirela Pitushi gjetëm një atmosferë të ngrohtë mes mësuesish e nxënësish, punonjësesh të përkushtuara të bibliotekës e lexuesish, që na japin shpresë se nisma jonë “Lexo shqip, fol shqip”, po përcillet kudo”, shkruan Margariti.
Margariti u shpreh se, mes leximesh, diskutimesh, ndarje përvojash, interpretimesh të ndjera nga aktorët Klajdi Marku e Miola Sitaj kaluam një kohë të bukur, ku kryefjala ishte libri.
Ministrja theksoi se, bashkë me Bibliotekën Kombëtare dhamë një kontribut modest në pasurimin e bibliotekës, duke dhuruar 140 tituj librash, që i përkasin autorëve të mëdhenj klasikë botërorë: Balzak, Hygo, Tolstoi, Twain…, por edhe klasikët tanë Naim Frashëri, Çajupi, Migjeni etj., një kolanë prej 50 titujsh e mbështetur nga Ministria e Kulturës.
“Shumë e rëndësishme është kolana që u dhurua nga Biblioteka Kombëtare me emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe të Rilindjes dhe të para Luftës II Botërore: Sami Frashëri, Poradeci, Kuteli, Koliqi, Kristoforidhi, Shiroka, Kristo Dako. Një kontribut që shpresojmë t’i shërbejë më së shumti brezit të ri që duhet të vazhdojë të lexojë shqip”, u shpreh ministrja./atsh/ KultPlus.com