15 Prill, 2020 - 1:30 pm
Profesor Jup Kastrati ka lindur në Shkodër, me 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930 – 1935), gjimnaz klasik (1936 – 1940) dhe licé real (1941 – 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht – nëntor 1942) ka qenë edhe në Liceo scientifico “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I”, në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në Campo concentramento (Fushë përqëndrimi), Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër, ostaggio (peng) në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit (korrik – shtator 1943).
Ka kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Temë diplome ka pasur: Kontribute për studimin e Ndre Mjedës (1958). Relator: Prof. Mahir Domi. Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: E folmja e Thethit (1962). Udhëheqës shkencor: Prof. Eqrem Çabej.
Ishtë një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957). Ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës, me anë promemoriash dhe kërkesash në autoritetet më të larta shtetërore dhe në shtyp, si dhe në tubime të ndryshme. Edhe emërtimi i këtij Ateneu “Luigj Gurakuqi”, është konceptuar e hartuar prej tij. Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë.
Ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje, Përgjegjës i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 – 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 – 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit “Luigj Gurakuqi” (dhjetor 1957 – janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989)”. Ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj.
Për merita të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, është nderuar me: Arsimtar i dalluar (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhëri “Naim Frashëri”, kl. II (1970), Mësues i merituar (1979), Mësues i Popullit (Me rastin e 100 – vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1987), Drejtues kërkimesh (1995). Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë. Ka mbajtur ligjërata problemore, universitare e pasuniversitare, në Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë.
Është përfshirë në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i Trembëdhjetë i Intelektualëve Botërorë (Kembrixh, dhjetor 1997): International Biographical Centre, Cambridge: Dictionary of International Biography (1998). Thirteenth Edition of the International Who’s Who of Intellectuals etj.
Me rastin e 75-vjetorit të lindjes Presidenti i Republikës e dekoroi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kohë më pare qyteti i tij i lindjes, Shkodra nga i cili nuk u largua asnjëherë edhe atëherë kur bëheshin përpjekje për ta dërguar për shërbime të ndryshme në Tiranë, e shpalli “Qytetar Nderi”.
Në një periudhë prej 60-vjetësh Profesor Jup Kastrati ka bërë një punë titaniku në fushë të kërkimeve, studimeve dhe sintezave shkencore të albanologjisë. Rreth 40 vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se 40 vjetësh, janë rezultat i kërkimeve të dendura ndër biblioteka dhe arkiva, punë sistematike e studimit të kësaj lënde dhe pjesë e veprimtarisë së tij pedagogjike e studimore.
Në bibliografinë e tij prej rreth 1000 njësish të Profesor Jup Kastratit gjenden edhe këto vepra Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995; Fedri, Fabula, përkthyer nga latinishtja. Tiranë, 1958; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1962, Prishtinë 2003 (i plotësuar); Filip Shiroka, Zani i zemrës, Tiranë, 1958 (bashkautor); Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 – 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Histori e gjuhësisë shqiptare. Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër, Shkodër, 1989. (Dispensë); Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 – 1944), Prishtinë, 1980; Historia e albanologjisë (1497-1997). Vëllimi I (1497-1853), Tiranë, 2000; J. De Rada, Këngë të Milosaut, Tiranë, 1956; Prishtinë, 1965, 1968; J. De Rada, Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; J. De Rada, Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Tiranë, 1962; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Version i plotësuar. Monografi, Tiranë, 1979; Prishtinë, 1980; Jeta shkencore në Shkodër (kronikë, 1962-1990), Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër; Kolë Mirdita (Helenau), Trëndafila që s’çelin për ne, Tiranë, 1959; Kontribute për studimin e Ndre Mjedës. Shkodër, 1958; Ndre Mjeda, Çështje gjuhësore. Tiranë. 1967; Ndre Mjedja, Vepra II. Prishtinë, 1982; Për historinë e ortografisë shqipe, Shkodër, 1969/1970; Prishtinë, 1971; Sintaksa e gjuhës shqipe (1974), konspekt-leksone, dispensë, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër; Studime për De Radën. Monografi, Prishtinë, 2003; Studime për De Radën, monografi, Nju Jork, 2003; Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Zef Jubani Ndokilia, Vepra të zgjedhura. Tiranë, 1966; Autobiografia e De Radës, Tiranë, 2002; Autoreferat i disertacionit për mbrojtjen e gradës “Doktor i shkencave filologjike”, Shkodër, 1982; Bibliografi albanistike I, Prishtinë, 2003; Bibliografi e Profesor Eqrem Çabejt 1929-1981”, Prishtinë, 2003; Bibliografi shqipe, Tiranë, 1959; Bibliografia e Ndre Mjedës. Shkodër, 1967; Botimet shkencore të Doktorit të shkencave filologjike, Jup Kastrati, propozuar për titullin shkencor Profesor (1945 – 1986).Shkodër, 1986.
Pjesa më e madhe e veprës së tij gjendet në dorëshkrim. Ajo është menduar dhe është përgatitur për shtyp nga Profesor Jup Kastrati me titujt e përgjithshëm: Histori e albanologjisë, Studime linguistike, Studime filologjike, Studime arbëreshe, Vepra historiko-filologjike e De Radës, Bibliografi albanistike, Epistolari, Ditari shkencor, të gjitha në disa vëllime.
Një anë të përkushtuar të angazhimeve të tij në jetën kulturore, shkencore dhe botuese. Ka themeluar dhe drejtuar 3 organe kulturore e diturake: Buletin për shkëmbimin e eksperiencës, Shkodër (1954); Buletin shkencor i Institutit të Lartë Pedagogjik (1957 – 1958, 1964 – 1990). Përmes tij, 45 pedagogë kanë marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave”; Shkodra (1961 – 1976), botim vjetor i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për Shkodrën.
Ka marrë pjesë në redaksitë apo kolegjiumet e këtyre botimeve: Anëtar i redaksisë së revistës Gjuha jonë (1981 – 1985), organ i Akademisë së Shkencave; Anëtar i redaksisë së revistës Lidhja (L’Unione), Kozencë (1991 – 1992); Anëtar i Këshillit botues të gazetes Besa, Organ i Shoqatës atdhetare kulturore “Kosova”, fletore e përjavshme, Shkodër (1991); Anëtar i Këshillit redaktues të botimit: “Meshari” i Gjon Buzukut – Monument i kulturës shqiptare (Material nga Sesioni shkencor, mbajtur me 19,20 maj 1995 në Ulqin, ART-CLUB, Ulqin (1995); Anëtar i redaksisë së botimit shkencor: 90 – vjetori i Kongresit të Manastirit, Gostivar (1998); Anëtar i Redaksisë së gjuhësisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1998 / 1999;
Ka qenë projektues, redaktor ose anëtar redaksie apo zv/kryeredaktor o përgjegjës redaksie i 15 botimeve shkencore e kulturore: 10 – vjetori i themelimit të Institutit të Lartë Pedagogjik, Shkoder (1967); Kongresi i Manastirit, Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër (1969); Për përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore letrare, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1972); Çështje të folklorit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1973); Pashko Vasa – Luigj Gurakuqi, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1976); Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1978); 100 – vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Aleksandër Xhuvani, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Instituti i Lartë Pedagogjik: 25 – vjetori i themelimit, 1957/1982, Shkodër (1982); Anton Xanoni, Universiteti Shtetror i Tiranës, Tiranë (1962); Instituti i Lartë Pedagogjik: 30 – vjetori i themelimit, 1957/1987, Shkodër (1987); Miss Edith Durham, Koplik (1997)etj.
Në vitin 2001, filloi botimi i veprës së plotë të tij, fillimisht e planifikuar në tridhjetë vëllime: Bibliografi, albanologji, linguistikë, letërsi dhe epistolar, me mundësi që më vonë të plotësohej edhe me tema të tjera nga arkivi i tij i pasur.
Vepra e tij sot konsiderohet trashëgimi e paçmueshme e albanologjisë, pavarësisht se, në të gjitha fushat me të cilat është marrë, para opinionit ka paraqitur vetëm majen e Aisbergut. Nga pesë vëllimet e Historisë së albanologjisë, vetëm vellëmin e parë, nga pesë vëllimet e studimeve deradiane vetëm dy vëllime, nga tre vëllimet e studimeve arbëreshe vetëm një vëllim, nga pesë vëllimet e e bibliografisë albanistike, vetëm një vëllim i botuar etj.
Në veprimtarinë e gjithmbarshme të tij shkencore Profesor Jup Kastrati ka botuar: traktate, monografi, studime, artikuj shkencorë dhe divulgativë, recensione kritike për vepra gjuhësore, përkthime diturake, bibliografi shkencore të karakterit gjuhësor (përshkruese dhe të arsyetuara, kronologjike dhe tematike), redaktime veprash gjuhësore autorësh shqiptarë. Në to, janë trajtuar probleme nga disiplina gjuhësore, letrare, historike, folklorike, etnografike, hulumtuese e shkencore-metodike. Është e kuptueshme prandaj pse vepra e tij do të mund të shikohej nga saspekti personal, prej njeriu diturak, prej pedagogu e studiuesi, nga aspekti i shkollës së studimit, metodës, domeneve, nocioneve etj.
Vepra e tij do të mund të shikohej veç e veç edhe nga këndi i kontributit të tij në fushë të studimit të fonetikës, të historisë së alfabetit, të ortografisë, të leksikografisë, të leksikologjisë, të historisë së gjuhës së shkruar, të dialektologjisë, të morfologjisë, të fjalëformimit, të sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës historike, të historisë së mendimit shkencor ndër dijetarët arbëreshë të Italisë dhe të Greqisë, në fushë të studimit të historisë së gjuhësisë shqiptare, në fushë të studimit të filologjisë, të tekstologjisë, të toponimisë, të historisë së albanologjisë, të përkthimeve gjuhësore etj.
Për të ardhur deri këtu dhe për të kurorëzuar veprën dhe jetën e tij, Profesor Jup Kastrati ka punuar shumë, është përpjekur shumë, ka kaluar shumë shtigje të vështira jetësore e mendore, ka pasur shumë përplasje me rrethe individuale, kolektive, institucionale dhe parasegjithash politiko-shoqërore. Por, sigurisht që në jetën e tij dhe në këtë rrugë gjashtëdhjetvjeçare ka pasur edhe përkrahje, vlerësime dhe përshëndetje kolegiale, kolektive, institucionale dhe shoqërore e politike në Shqipëri dhe në botë kryesisht ndër studiuesit e albanologjisë.
Studiuesit si Profesor Jup Kastratit, në botën e qytetëruar zakonisht quhen personalitet të kulturës kombëtare, ndërsa veprat e tyre quhen monumente të kulturës së tij. /KultPlus.com