26 Shkurt, 2018 - 9:43 pm
Studimet kanë treguar se shkrimtarët janë të prirur drejtë vetvrasjes dy herë më shumë se njerëzit e zakonshëm. Pavarësisht se lidhja mes aftë sisë kreative dhe problemeve mendore mbetet për t’u diskutuar, nuk mund të vëmë në dyshim se letërsia botërore ka pasur disa humbje, sepse shumë gjeni kanë pasur probleme me jetën e tyre.
Më poshtë , një listë me 16 autorë që i kanë dhënë fund jetës së tyre:
1.Gérard de Nerval (1808-1855)
Nerval ishte poet lirik e romantik, i cili vuajti nga melankolia për një kohë të gjatë. Pasi e dashura e tij e la, ai e vari veten në një prej shtyllave të ndriçimit rrugor.
John Berryman (1914-1972)
Poeti amerikan Berryman ishte vetëm 11 vjeç kur e ëma vrau veten dhe kjo tragjedi ndikoi krijimtarinë e tij artistike, ashtu si edhe jetën e tij. Ai kishte probleme me alkolin gjatë gjithë jetës dhe u shtrua disa herë në spital për t’u reabilituar. Me 7 janar të 1972, ai u hodh nga ura e Washington Avenue në Minneapolis.
Jack London (1876-1916)
I pari shkrimtar bilioner në botë, Xhek London, vuante nga çrregullime bipolare dhe mendohet se kjo sëmundje e çoi atë drejt vetëvrasjes. Kur po bënte udhëtimin e tij në Paqësor, ai u infektua nga një sëmundje tropikale dhe përgatiti një ilaç që përmbante opium, heroinë dhe mërkur për të shëruar veten. Por ky ilaq i dëmtoi mushkëritë. Ka ende dyshime nëse ai u vetëvra apo jo, mirëpo mendohet se përpjekjet e hershme apo temat e vetëvrasjes në krijimtarinë e tij, nuk janë të rastësishme.
4.Stefan Zweig (1881-1942)
Cvajg gjatë kohës që ishte në mërgim, vuante nga një nivel i lartë depresioni si shkak i gjendjes në Evropë dhe nuk mund ta përballonte zhgënjimin që ndjente. Ai kreu vetëvrasje në Rio de Janeiro sëbashku me të shoqen, më 22 shkurt të 1942.
Në një letër që kishte lënë, shkruhej:
“Çdo ditë e më shumë mësova ta dua këtë vend dhe nuk do të kisha kërkuar ta rindërtoja jetën time në asnjë vend tjetër, pasi bota e gjuhës sime u fundos dhe humbi për mua dhe mëmëdheu im shpirtëror, Evropa, shkatërroi veten.”
Virginia Woolf (1882-1941)
Shkrimtarja e njohur angleze Virginia Woolf vuante nga një depresion i lartë pasi mbaroi së shkruari librin e saj të fundit. Ajo ishte gjithashtu një ndër ato që u ndikua jashtëzakonisht shumë nga çrregullimi postraumatik i Luftës Botërore. Në 1941, ajo i mbushi xhepat me gurë dhe u hodh në lumin Ounes.
Walter Benjamin (1892-1940)
Kur Benjamin ishte emigrant në Paris, si një hebre, gjermanët pushtuan Francën dhe shtëpia e tij u plaçkit nga ushtarët nazistë. Ai pastaj u arratis drejt qytetit Portbou pranë kufirit me Spanjën, por në çdo kohë e ndjente frikën e kapjes nga nazistët. Prandaj, pra nga frika, kreu vetëvrasje me mbidozë të morfinës.
Sergei Yesenin (1895-1925)
Alkoli dhe problemet e tij në marrëdhëniet me femra bënë që Esenin ta kalonte një kohë të gjatë në një spital psikiatrik. Gjatë periudhës së Krishtlindjesh, ai e vari veten në një dhomë hoteli në Moskë. Ngjitur trupit të tij pa jetë u gjet një letër drejtuar mikut të tij Mayakovsky, e shkruar me gjakun e tij.
Vladimir Mayakovsky (1893-1930)
Njëlloj si miku i tij Esenini, edhe Mayakovsky ishte një nga ato që nuk mundi të bënte paqe me jetën e tij. Ai kreu vetëvrasje në Moskë kur ishte dëshpërimisht pesimist për mosbesimin e njerëzve mbi revolucionin.
Ernest Hemingway (1899-1961)
Autori amerikan Ernest Heminguej bëri një jetë të jashtëzakonshme. Vuajti nga depresioni, paranoja dhe alkolizmi gjatë gjithë jetës së tij. Ai e qëlloi veten në kokë në verën e vitit 1961.
Anne Sexton (1928-1974)
Sexton vuante nga depresioni dhe mania dhe ajo kishte tendenca vetëvrasëse të cilat i gjejmë edhe tek shkrimet e saj. Në librin “The suicide of Anne Sexton”, vdekja e saj përshkruhet me këto fjalë: “…ajo veshi pallton e vjetër të leshit të mamasë së saj, hoqi gjithë unazat, derdhi mbi vete një gotë me vodka, mbylli veten në garazh dhe ndezi motorrin e makinës së saj, duke gjetur vdekjen nga helmimi me monoksid karboni.”
Cesare Pavese (1908-1950)
Poeti, kritiku dhe përkthyesi italian Paveze mori një mbidozë të ilaçeve të gjumit dhe i dha fund jetës së tij në një hotel në Torino.
Romain Gary (1914-1980)
Romain ishte autori i vetëm që e fitoi dy herë Cmimin Goncourt, njërin me emrin e tij dhe tjetrin me pseudonimin e tij “Emile Ajar”. Ai ishte shumë i njohur si njeri i letrave, por ai njihej edhe si diplomat, si drejtor filmi dhe si aviator gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas vdekjes së diskutueshme të gruas së tij në 1979 Jean Seberg, Romain ishte ende nën presionin e kësaj tragjedie dhe me shumë mundësi kjo ndikoi që ai t’i jepte fund jetës së tij.
Primo Levi (1919-1987)
Levi tha se e kishte humbur besimin e tij në Zot kur ishte dërguar në Aushvic nga nazistët, sepse ishte bërë pjesë e grupeve anti-fashiste dhe kishte luftuar kundër regjimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në moshën 68 vjeçare, ai s’mund ta përballonte zbrazëtinë shpirtërore dhe u hodh nga kati i tretë i pallatit ku jetonte.
Yukio Mishima (1925-1970)
Mishima ishte një nacionalist që krijoi ushtrinë e tij të krahut të djathtë politik të quajtur “Tatenokai”. Ai vizitoi selitë e Komandave Lindore në Tokio të Forcave Vetëmbrojtëse Japoneze me grupin e tij dhe e morën peng komandantin, duke shpallur kështu kërkesat e tyre. Pasi fjalimi i tij dështoi që të frymëzonte ushtarët, ai u kthye në zyrë dhe bëri aktin e “seppuku” (ritual japonez vetëvrasës). Një anëtar i Tatenokai, Hiroyasu Koga, e ndihmoi të kryente ritualin vetëvrasjes.
Sylvia Plath (1932-1963)
Poetja amerikane Sylvia Plath vuante nga një çrregullim bipolar ekstrem dhe i duhej të merrte antidepresant gjatë gjithë jetës. Përpjekja e saj e parë vetëvrasëse ndodhi kur ajo ishte në vitin e dytë të studimeve në Kolegjin Smith. Megjithatë ajo ia doli te diplomohej me sukses. Në 1963, ajo la qumësht dhe biskota për fëmijët e saj të vegjël, izoloi hapësirat e derës në mënyrë që gazi të mos rridhte ne dhomën tjetër, dhe kreu vetëvrasje duke futur kokën në furrë.
David Foster Wallace (1962-2008)
Një nga autorët më të talentuar të letërsisë bashkëkohore amerikane, David Foster Wallace vuajti nga depresioni për rreth 20 vite. Në shtator të 2008, ai i dha fund jetës së tij. Para kësaj ngjarjeje tragjike, Wallace dhe terapisti i tij kishin vendosur të ndryshonin mjekimin.
Përktheu & përshtati për Konica.al: Andreas Dushi