22 Korrik, 2020 - 8:59 am
Dhimitër Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. Lindi në Elbasan më 1915 dhe ka vdekur më 22 korrik të vitit 2003.
Ishte nga një familje intelektuale, i biri i Simon Shuteriqit, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit, si dhe një ndër themeluesit e Normales.
Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas Çlirimit në jetën kulturore dhe letrare të vendit.
Dhimitri ndoqi mësimet në Liceun e Korçës dhe më pas shkollimin e lartë e ndoqi në Universitetin e Grenoblit dhe Lionit, në Francë. Më 1942-1943 jepte mësim në Elbasan, më 12 maj 1943 u zgjodh sekretar i këshillit krahinor nacionalçlirimtar për komitetin qarkor të Elbasanit.
Më 2 mars 1946 në Drejtorinë e Shtypit dhe Propagandës pranë Ministrisë së Shtypit, Propagandës e Kulturës Popullore, u krijua një komision që ngarkohej për t’u dhënë liri qarkullimi librave të botuar deri në atë kohë në Shqipëri, pjesë e të cilit ishte edhe Shuteriqi si punonjës i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Në vitet 1950-1974 ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ka filluar të shkruajë që në vitet ‘30.
Fusha kryesore e veprimtarisë së tij krijuese është proza, romani, por sidomos tregimi, ku shquhet si një nga lëvruesit më të mirë të tij.
Si studiues ka punuar sidomos në fushën e historiografisë letrare, si një ndër autorët kryesore të teksteve e të veprave përgjithësuese për historinë e letërsisë shqiptare, i monografive të veçanta si dhe i punimeve për historinë e kulturës shqiptare, për folklorin e filologjinë. Veç kësaj Dhimitër Shuteriqi është marrë edhe me publicistikë.
Dhimitër Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të përfunduara. Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë. / KultPlus.com