15 Tetor, 2020 - 3:50 pm
Një ndër emrat më të rëndësishëm të filozofisë botërore, Fridrih Niçe (Friedrich Wilhem Nietzsche) ka lindur më 15 tetor të vitit 1844, për t’u gdhendur emri i tij në shumë pikëpamje, vepra dhe rryma filozofike, shkruan KultPlus.
Niçe mbetet një ndër filozofët më të shquar gjermanë të shekullit 19. Ai ka qenë kritik i ashpër i krishtërimit, i idealizimit gjerman, i feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi. Mbinjeriu ka qenë teoria e tij me të cilin e bën edhe sot e kësaj dite të njohur atë.
Filozofi i madh u nda nga jeta më 25 gusht të vitit 90 në Vajmar.
KultPlus për datën e tij të lindjes, sjell një fragment nga vepra e tij “Kështu foli Zarathustra”:
Diku nëpër botë ka akoma popuj e kope, por s’ka ndër ne, o vëllezër, nga anët tona ka vetëm shtete.
Shteti? C’është ky? Tani më dëgjoni mirë, do t’ju them fjalën time për vdekjen e popujve. Shtet quhet më i ftohti ndër të gjithë përbindëshat e ftohtë. Ai është i ftohtë edhe kur gënjen; nga goja e tij zvarritet ky mashtrim: “Unë, shteti, jam populli”.
Dhe ky është mashtrim! Ata që krijuan popujt ishin krijues, ata i mbuluan këta popuj me besim e dashuri; kështu i shërbyen jetës. Shkatërrues janë ata që ngrein kurthe për shumëkënd, e këta quhen shtet; ata varrin mbi njerëzit një shpatë e njëqind pishtarë.
Atje ku populli ekziston, ai s’e kupton shtetin dhe e urren si syrin e keq, si shkelje, dhunim të zakoneve dhe të së drejtës. Kjo shenjë po ju jap: çdo popull flet gjuhën e tij të së mirës dhe së keqes: fqinji s’ja kupton. U shpik gjuha si për zakone ashtu dhe për të drejtën. Por shteti gënjen në të gjithë gjuhët e së mirës dhe së keqes; çfarëdo të thojë, mashtron, çfarëdo që të ketë në pronësi, e ka të vjedhur. Gjithçka në të është e shtirë; me dhëmbë të vjedhura kafshon kafsha. Edhe zorrët e barkut i ka të shtira.
Ngatërresë e gjuhëve për të mirën e të keqen: këtë shenjë ju jap unë si shenjë për shtetin. Vërtetë kjo shenjë tregon vullnetin e vdekjes! Vërtetë, kjo të kujton predikuesit e vdekjes!
Shumë njerëz lindin; për njerëzit e tepërt u shpik shteti! / KultPlus.com