8 Maj, 2018 - 7:15 pm
Janë bërë 19 vite nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.
Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.
Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.
Sipas profesorëve dhe njerëzve që e njohën, vdekja e Yllkës ishte humbje e një kuadri intelektual, e një atdhetareje dhe poeteje, e cila do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtyllë e kulturës dhe letërsisë.
Yllka u rrit në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin atë kohë kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre.