192 vite më parë Charles Darwin filloi ekspeditën rreth botës e cila zgjati 5 vite

27 Dhjetor, 2023 - 10:02 am

Charles Darwin (1809-1882) ishte një biolog, gjeolog dhe natyralist anglez, i njohur për dy nga teoritë më me ndikim në botën shkencore; evolucioni dhe procesi i seleksionimit natyror. Në përmbledhje, ai propozoi që të gjitha speciet e qenieve të gjalla të vijnë nga një paraardhës i përbashkët dhe që speciet që përshtaten më mirë me mjedisin janë ato që riprodhohen dhe mbijetojnë. Të dy teoritë u propozuan në Origjina e specieve, botuar në 1859. Ndërsa në vitin 1831 ai filloi ekspeditën rreth botës e cila zgjati 5 vite.

Udhëtimi në bordin e anijes “Beagle”

Më 27 dhjetor 1831, filloi udhëtimi i Beagle-it. Udhëtimi zgjati plot pesë vjet (tre vjet më shumë se sa ishte menduar). FritzRoy-i në bordin e Beagle-it udhëtonte dhe kontrollonte brigjet ndërkohë që Darvini vetë shpenzonte kohë me studimet gjeologjike në ishull duke mbledhur mostra për koleksionin e tij mbi historinë natyrore. Ai mbajti shënime të kujdesshme mbi vëzhgimet në ishull dhe mbi teori të ndryshme spekulative (në kuptimin që teoritë ishin më shumë hipoteza në atë kohë). Në intervale të ndryshme kohore, mostrat e tij dërgoheshin në Kembrixh së bashku me letra duke përfshirë edhe kopje të ditarit për familjen e tij. Darvini kishte studiuar rreth krijesave detare jovertebrore dhe kishte njohuri të përgjithshme mbi gjeologjinë, por në fushat e tjera ku shtroi studimet e tij, ai ishte një fillestar. Qëndrimi i tij në ishull bëri që Darvini të bëhej një ekspert. Edhe pse Darvini kishte probleme shëndetësore (e zinte shpesh deti), shumica e shënimeve të tij zoologjike janë hartuar mbi krijesat detare jovertebrore si planktoni, etj.

Në ndalesën e parë në tokë të thatë në Saint Jago, Darvini zbuloi se në një rrip të bardhë, të lartë në gurët vullkanik ekzistonin midhje. FitzRoy i kishte dhënë atij volumin e parë të Principet e Gjeologjisë (origjinali: Principles of Geology) nga Charles Lyell-i, i cili shpjegonte konceptet e uniformitaritetit, pra se si toka ngrihej, ulej ose binte ngadalë në periudha të ndryshme kohore. Darvini i pa gjërat në mënyrën e Layell-it duke menduar në shkrimin e një libri mbi gjeologjinë. Në Brazil, Darvini u mahnit nga pyjet tropikale, por filloi të urrente pamjet e egra të skllavërisë.

Në zonën Punta Alta në Patagonia, ai zbuloi fosile gjitarësh të zhdukur me përmasa të mëdha ndër shkëmbinj, përveç midhjeve të freskëta që tregonin një zhdukje të ndodhur rishtasi të llojit pa asnjë shenjë të ndryshimeve klimaterike ose katastrofave të mundshme. Fosilet e gjitarëve të emëruar prej tij si Megatherium, i ngjasonin një versioni gjigant i armadilos që jetonte në ato zona. Zbulimet e tij ngjallën interes të veçantë, kur provat u dërguan në Angli. Gjatë vazhdimit të eksplorimit gjeologjik më në brendësi të territorit, për të grumbulluar sa më shumë fosile, ai fitoi njohuri të shumta mbi gjendjen sociale, politike dhe antropologjike të popullësisë autoktone dhe koloniale (spanjolle) në një kohë revolucioni, duke zbuluar gjithashtu se rhea (një lloj zogu karakteristik i Patagonias) jetonte në zona të ndara, por njëkohësisht përkonin pjesërisht me njëra tjetrën. Ai lexoi më pas volumin e dytë të librit të Lyell-it duke pranuar idenë e “qendrës së krijimit” të llojeve, por duke kundërshtuar ose më mirë të themi sfiduar idetë e Lyell-it mbi vazhdimësinë graduale (vazhdimësinë e qetë) dhe zhdukjes së llojeve.

Në Tierra del Fuego, Darvini ndaloi dhe vazhdoi progresin me shënimet e veta. Ai u njoh me tre vendas të cilët ishin dërguar dhe instruktuar në Angli për tu kthyer si misionarë në ato zona. Sipas tij, të tre miqtë e tij të rinj ishin të civilizuar dhe miqësorë, ndërsa “të afërmit” e tyre vazhdonin të ishin “mjeranë dhe egërsira të pashpresa,” aq të ndryshëm sa janë kafshët shtëpiake me kafshët e egra. Sipas Darvinit kjo kishte të bënte me shfaqjen e përparësive kulturore dhe jo inferioritetit të racave. Tashmë Darvini nuk kishte më dyshime se nuk kishte asnjë ndarje të pakalueshme ndërmjet njerëzve dhe kafshëve, siç pretendonin shumë shkencëtarë të kohës. Mbas një viti, misionarët nga Terra del Fuego e brakstisën misionin e tyre. Jemmy Button-i (i emëruar kështu nga anglezët) rifilloi jetën si të parët e tij, gjeti një grua dhe nuk dëshironte të kthehej më në Angli. Në Kili ai përjetoi një tërmet të fuqishëm. Aty në të çarat e tokës, Darvini gjeti akoma më shumë guaska midhjesh dhe fosile bimësh që rriteshin zakonisht në brigjet ranore. Kjo i dha shkas teorive të reja.

Udhëtimi i tij vazhdoi në ishujt Galapagos. Atje Darvini kërkoi për prova që lidheshin me “qendrën e jetës” të një kohe më të hershme dhe gjeti se popullata e zogjve në ishuj kishte lidhje me zogjtë që kishte vëzhguar gjatë qëndrimit në Kili por që ndryshonin nga ishulli në ishull. Darvini u vu në dijeni se në bazë të zhguajve të breshkave pak të ndryshëm në formë nga njëri tjetri, mund të kuptohej se nga cili ishull vinin ato, por ai nuk arriti t’i mblidhte ato edhe pse dieta në Beagle në këtë periudhë konsistonte në ngrënien e breshkave. Në Australi, miu-kangur (kafshë me xhep – marsupial) dhe playpus (kafshë e vogël leshatore që jeton në Australi dhe Tazmani) lanë një përshtypje të madhe te Darvini, të cilit iu duk sikur në krijimin e tyre kishin marrë pjesë dy krijues të ndryshëm. Darvini u njoh me aborigjenët (vendasit australianë) të cilët lanë përshtypje të mirë te ai si “të këndshëm dhe me humor të mirë” dhe vuri në dukje keqtrajtimet e tyre nga ana e kolonizatorëve evropian.

Kapiteni FitzRoy filloi të shkruante rrëfimet zyrtare të udhëtimeve të Beagle-it dhe, pasi lexoi ditarin e Darvinit, ai i propozoi atij që të dy shkrimet të shkriheshin në një. Megjithatë ditari i Darvinit u rishkruajt në mënyrë të veçantë në tre volume të ndryshme mbi historinë natyrore. Në Kejp Taun, kapiteni i anijes “Beagle” dhe Çarls Darvin u takuan me John Herschel-in. Ky i fundit ishte një përkrahës i uniformitarizmit të Lyell-it duke e quajtur teorinë e tij për zëvendësimin e specieve të zhdukura nga të tjera si “një proces natyral në kundërvënie të një procesi të mrekulleushëm (hyjnor).” Ndërkohë që Beagles-i po kthehej në Angli, Darvini riorganizoi shënimet duke shkruar se dyshimet e tij në rritje për zogjtë e Galapagosit, breshkat dhe Falkland Island Fox (një lloj ujku) ishin të drejta; “ – Fakte të tilla zhvlerësojnë stabilitetin e llojeve… “duhet” vjen përpara “zhvlerësimit.” Më pas Darvini shkroi se “ … më duket se të tilla fakte hedhin deri diku dritë mbi origjinën e specieve.”/KultPlus.com

/KultPlus.com

Të ngjajshme