“24 orë nga jeta e një gruaje”

4 Qershor, 2019 - 11:50 pm

 

Fragment nga kryevepra e Stefan Cvajg.

Çdo gjë kuptohet nga duart, nga mënyra me të cilën presin, me të cilën kapin, me të cilën ndahen. Njëqind karaktere mund të zbulosh nga mënyra se si i kapin duart paratë, si i zhubrosin dhe i shtrëngojnë me lëvizje nervoze. Karakteri i njeriut zbulohet në kumar nga vetë dora e tij. Sepse të gjithë ose pothuajse të gjithë kumarxhinjtë kanë mësuar se si të mos tradhtohen nga fytyra. Ata ruajnë maskën e ftohtë në fytyrë që i tregon të paprekshëm… Por pikërisht ngaqë tërë vëmendja përqendrohet te fytyra, ata harrojnë duart, që zbulojnë pa turp të fshehtën e madhe…

***

-Ngrihuni shpejt! Këtë çast…

Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.

-Lermëni rehat! – thirri. –Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!

Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.

-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar, hajdut, m’u betuat…

Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.

-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!

***

Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, më ngrin gjaku në rremba. Dhe e ndjej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngratë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja. Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.

Të ngjajshme