“2500 hapa deri te banesa e fundit e nënës”

25 Gusht, 2019 - 1:25 pm

Nga Zija Çela

MARGARITA dhe TULLUMBACE

Meqë e shoqja nuk shkonte mirë me vjehrrën, madje e gjuante me fjalë të rënda, Gentian Meniku ra në hall. Por si biznesmen i kamur nuk i mungonin zgjidhjet. Nga vila ku jetonin, ai e zhvendosi të ëmën në një apartament me tri dhoma e kuzhinë, që e pati blerë njëkohësisht me prona të tjera të patundshme.
Kur shkonte për ta takuar, rrugën nga vila deri te nëna e bënte më këmbë. Jo vetëm pse ishte afër, jo vetëm pse i bënte mirë të çapitej, por sidomos prej një kujtimi mallëngjyes. Ai kishte lindur me një cen, që u pikas gjatë muajve të parë. Shpesh e shpesh, nëna i qëndronte në spital te koka. Kur në një nga shtrimet ia ndaluan qëndrimin për shkak të epidemisë gripale, prapëseprapë i jepte gji pesë herë në njëzet e katër orë. Dhe gjithnjë, ditën a natën, me aq nxitim e hidhte hapin deri në pediatri, sa i zihej fryma dhe gulçonte rrugës.
Në fillim u dyshua për ndonjë formë të fshehtë poliomiliti, por kur djali u bë tre vjeç, ky dyshim u përjashtua. Iu deshën thuajse edhe dy vite të tjera për të fituar njëfarë sigurie në ecje. Qysh atëherë i përhiheshin para syve duart e shtrira të nënës dhe zëri i saj i ëmbël, që e joshte për një hap më tepër. Mirëpo nga frika instinktive, fëmija sikur ngurosej. Dhe ishte nëna që, në çast, brofte drejt tij.
Me këtë kujtim fërgëllues, kur vajti për ta takuar pas zhvendosjes, Gentian Meniku i numëroi edhe hapat deri atje. I dolën 378. Një mbrëmje vere, për kureshtje, ai i numëroi sërish dhe afërsisht njëlloj i dolën.
Por edhe kjo shifër tashmë një kujtim kishte mbetur. Kur e shoqja e zuri në flagrancë me dashnoren dhe i kërkoi divorcin, zoti Meniku ra prapë në hall. Për të mos humbur gjysmën e vilës, u detyrua t’i jepte ish-bashkëshortes apartamentin 3 + 1. Meqë do të martohej me të dashurën, sa të rrezikonte ndonjë konflikt të ri mes nuses e vjehrrës, gjeti një zgjidhje më të shkurtër. Ai e zhvendosi nënën ca më tutje, në një apartament 2 + 1. Natyrisht, kur vajti fillimisht atje për ta takuar, nuk harroi t’i numëronte hapat. I dolën 634. Më pas, si për të verifikuar veten, ndonëse e përsëriti numërimin, nuk vërejti ndryshime. Aq i dolën, 634.
Vitet kalonin dhe zotit Meniku nisi t’i binte biznesi. I zënë ngushtë për një pagesë urgjente, ai shiti magazinën rrëzë kodrave dhe apartamentin me dy dhoma e kuzhinë. Kështu, u detyrua që nënën ta zhvendoste përsëri. Kësaj radhe mori me qira një garsoniere. Për mungesë kohe, duke i kërkuar ndjesë në telefon, vajti për ta takuar pas disa javësh. Patjetër, nën shtysën e zakonit, i numëroi hapat. I dolën 920. Mbi komodinën ndanë krevatit, Gentian Meniku pa foton e tij, si dhe një vazo të vogël me margarita artificiale. Veçse u habit disi, nënën e gjeti duke luajtur me tullumbace. Mos po bëhet fëmijë nga pleqëria? shestoi me vete. Por nëna ia lexoi mendimin dhe u shpjegua menjëherë, në këtë hapësirë të ngushtë ajo kishte nevojë të lëvizte sadopak. I biri ndjeu keqardhje dhe nisi t’i premtonte… “Jo, jo, mos ki merak”, e qetësoi ajo, “të gjithë e dimë se ka banesa më të vogla se kjo.”
Dhe ashtu ndodhi. Në vigjilje të 70-vjetorit e la edhe garsonieren. I biri nuk pati ndonjë ngurrim për ta takuar sa më shpejt. Që në mëngjes u nis drejt saj. Ai bleu shtatë margarita natyrale. Por buqetës i lidhi edhe një tullumbace, të cilën e fryu pak, në mënyrë që asaj shtatës t’i rrinte nga mbrapa, siç i rri zeroja shtatëdhjetës. Megjithëse e dinte se rruga ishte zgjatur tashmë, numërimin e bëri një për një. Nga vila e tij i dolën 2500 hapa deri te banesa e fundit e nënës. Edhe pjesa tjetër matematikë e pastër mbetej, por ekuacioni ishte i pazgjidhshëm. Ai nuk do ta mësonte kurrë të kundërtën, hapat e nënës drejt tij.

Shtator 2018. / KultPlus.com

Të ngjajshme