27 Dhjetor, 2022 - 2:22 pm
Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe ka vdekur në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.
Marko ka lindur në fshatin Dhërmi të Bregut nga prindërit Marko e Zoica, u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.
Me të kryer filloren në fshatin e lindje më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.
Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me s htypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).
U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n’Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin, transmeton kp. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllas krijohet mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë i shte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.
Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, e cila dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga trupat e Hamit Matjanit, dhe ata që ngelën ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi. / KultPlus.com